Kos: Serbia rrezikon integrimin në BE nëse Vuçiq takon Putinin

Kos: Serbia rrezikon integrimin në BE nëse Vuçiq takon Putinin

Komisionarja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, paralajmëroi të mërkurën se Serbia do të përballet me vështirësi serioze në rrugën drejt anëtarësimit në BE, nëse presidenti Aleksandar Vuçiq viziton Moskën javën e ardhshme.
Kos theksoi se vendimi i fundit për të udhëtuar apo jo në Rusi i takon vetë Vuçiqit.

Presidenti serb ka njoftuar se planifikon të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj dhe të zhvillojë një takim me presidentin rus Vladimir Putin – takim ky që do të ishte i pari që nga fillimi i agresionit të plotë të Rusisë kundër Ukrainës.

“9 maji 1945 dhe 9 maji 2025 përfaqësojnë kuptime krejtësisht të ndryshme. Shkuarja në Moskë dhe festimi me Putinin apo me ushtrinë që aktualisht po vret civilë në Ukrainë bie ndesh me vlerat themelore evropiane dhe me vendimin e Këshillit të BE-së nga viti 2022, i cili u bën thirrje shteteve anëtare të mos ndërmarrin veprime që mund të legjitimojnë Putinin apo regjimin e tij,” u shpreh Kos në një konferencë për shtyp në Beograd, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Radio Evropa e Lirë.

MARKETING