Gjani Alioski me Al Ahlin kualifikohen në finalen e Ligës së Kampionëve të Azisë!

Futbollisti shqiptar, Ezgjan Alioski, është vetëm 90 minuta larg titullit kampion të Azisë me klubin e tij Al-Ahli, pasi sonte siguruan finalen e madhe të Ligës së Kampionëve të Azisë.

Skuadra nga Xheda triumfoi ndaj kampionit saudit Al-Hilal me rezultatin 3:1, në një ndeshje dominuese. Golat për Al-Ahlin i realizuan Firmino, Toney dhe Al-Buraikan, ndërkohë që skuadra humbi edhe një penallti dhe goditi disa herë shtyllën.
Finalisti tjetër do të përcaktohet nesër nga përballja mes Al-Nassr dhe Kawasaki Frontale, duke hapur mundësinë për një superfinale saudite mes Alioskit dhe Cristiano Ronaldos.
Alioski, i cili këtë sezon aktivizohet vetëm në Ligën e Kampionëve të Azisë, zhvilloi një ndeshje të plotë dhe tregoi maturi edhe pse u ndëshkua me karton të verdhë që në minutën e parë. Ai e menaxhoi me përvojë duelin me brazilianin Malcom dhe konfirmoi se është një lojtar kyç për skuadrën në prag të finales historike, derisa përveç një asisti që nuk vlejti shkaku i golit të anuluar për pozitë jashtëloje, kishte edhe disa pasime kyçe që nuk u konkretizuan me gola nga bashkëlojtarët e tij.