Gola, luftë dhe penallti e anuluar, ‘El Clasico’ shkon në vazhdime

Ka përfunduar me rezultat të bararbartë 2-2 pas 90 minutave finalja mes Barcelonës dhe Real Madridit në kuadër të Kupës së Mbretit.
Pothuajse gjatë tërë pjesës së parë blaugranasit ishin më të rrezikshëm dhe më kërkues duke detyruar Real Madridin që të mbyllet mbrapa për të mos lënë hapësira.
Ata patën një rast serioz me Jules Kounde i cili me kokë rrezikoi portën e Real Madridit, por Courtois bëri një super pritje për t’ia mohuar golin.
Pas disa përpjekjeve të njëpasnjëshme, të besuarit e Hansi Flick ia dolën që më në fund të gjejnë golin e epërsisë.
Po luhej minuta e 28-të e takimit kur Lamine Yamal me mençuri bëri një super pasim te Pedri i cili nga jashtë zonës me një goditje të bukur realizoi për 1-0.
Në pjesën e dytë Real Madridi reagoi duke përmbysur gjithçka me dy gola të shënuar.
Fillimisht Kylian Mbappe realizoi për 1-1 në minutën e 70-të nga goditja e dënimit, teksa për epërsinë e ‘Los Blancos’ u përkujdes Aurelien Tchouameni që realizoi me kokë për 2-1 në minutën e 77-të.
Madrilenët nuk ia dolën ta mbajnë rezultatin pasi Barcelona realizoi në minutën e 87-të me Ferran Torres për të barazuar gjithçka në 2-2.
Tani do të luhen vazhdimet dy herë nga 15 minuta dhe eventualisht penalltitë për t’u përcaktuar fituesi i kësaj finaleje.