Protestë në Tel Aviv kundër politikës izraelite të urisë në Gaza

Protestë në Tel Aviv kundër politikës izraelite të urisë në Gaza

Një grup demonstruesish izraelitë kanë mbajtur një “protestë të heshtur” kundër politikës së qeverisë së Izraelit për të shkaktuar vdekje nga uria në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Të veshur me të zeza dhe duke mbajtur enë dhe tenxhere bosh, demonstruesit qëndruan solemnisht pas një pankarte me mbishkrimin “Uria është krim lufte”. Ata bënë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve dhe kërkuan nga autoritetet izraelitete të parandalojnë përkeqësimin e mëtejshëm të krizës humanitare në Gaza.

Që nga 2 marsi i këtij viti, Izraeli ka mbajtur të mbyllura të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke bllokuar hyrjen e ushqimeve thelbësore, mjekësore dhe ndihmave dhe duke përkeqësuar situatën tashmë të rëndë humanitare.

Midis protestuesve ishte edhe Mihal Fortman nga organizata “Prindërit kundër arrestimit të fëmijëve”, një organizatë e formuar disa vite më parë në përgjigje të arrestimit dhe ndalimit të fëmijëve palestinezë në Bregun Perëndimor. Ajo foli lidhur me zhvillimet në Gaza.

“Njerëzit po vdesin nga uria në Gaza. Izraeli nuk po lejon ndihmën humanitare në Gaza dhe shumë fëmijë po vuajnë nga uria. Shumë fëmijë po qëndrojnë në radhë me tenxhere bosh, duke shpresuar për pak ushqim që të mund t’ua sjellin familjeve të tyre dhe sigurisht jo vetëm fëmijët. Uria nuk është një mënyrë për të fituar një luftë. Nuk është një mënyrë për të arritur asgjë”, tha Fortman.

Ajo gjithashtu tërhoqi një paralele të fuqishme morale me mësimet e Holokaustit.

“Holokausti duhet të na mësojë se askush, asnjë fëmijë, asnjë familje, nuk duhet të vuajë nga uria në këtë botë dhe padyshim jo qëllimisht. Kjo është arsyeja pse po qëndrojmë këtu”, tha ajo.

Më 18 mars, Izraeli rifilloi sulmet brutale në Rripin e Gazës, duke braktisur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në muajin janar.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në Gaza ka vrarë të paktën 51.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën që e ka lënë territorin në prag të urisë.

MARKETING