Vini, përplasja me tifozët dhe besnikëria

Nuk janë kohë të mira për Viniciusin te Reali. Ky ka qenë një sezon plot dritëhije për të, sikurse dhe për skuadrën. E megjithatë me pak ndeshje të mbetura në fund ai dhe Reali mund të shpresojnë në një “dopietë” trofesh, Kupa e Mbretit dhe Liga spanjolle.
.Pa harruar këtu që në qershor Reali do të luajë dhe në Botërorin e Klubeve në formatin e tij të ri. E diela kundër Atletik Bilbaos ka shënuar përplasjen e radhës mes tij dhe tifozëve të Madridit. Mediat spanjolle janë marrë gjatë me sulmuesin dhe reagimin e tij, i cili nuk festoi fare te goli që shënoi (që më pas u anulua për pozicion jashtë loje të Endrik).
Ky ishte fërkimi i fundit mes tij, që është përsëritur disa herë gjatë sezonit, qoftë për paraqitjen e tij në fushë, qoftë dhe për zërat për një largim në Arabinë Saudite. Në mes të kësaj zhurme, pikërisht atëherë kur dyshimet për të ardhmen e tij në Madrid janë shtuar mjaft, braziliani ka folur për “Real Madrid TV”, duke i premtuar edhe njëherë besnikëri klubit të bardhë.
E ARDHMJA NË MADRID – “Kam arritur deri këtu me shumë punë të palodhur, shumë sakrifica dhe ndihmën e të gjithëve në këtë klub – trajnerëve, presidentit, lojtarëve – dhe më duhet të vazhdoj kështu, sepse dua të qëndroj këtu për një kohë të gjatë dhe shpresoj të vazhdoj të bëj histori”.
PRESIONI TE REALI – “Është normale, kur arrin kaq i ri në një klub kaq të madh, duhet të dish ta përballosh presionin sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë erdha shumë i ri, arrita të mësoja me kalimin e kohës dhe sot, në moshën 24-vjeçare, jam me këtë ekip për gati shtatë vjet, 200 fitore dhe shumë ndeshje të luajtura”.
HISTORIA E KLUBIT – “Ne duhet të vazhdojmë të punojmë, të vazhdojmë të fitojmë dhe të vazhdojmë të bëjmë gjërat që po bëjmë, gjë që do të thotë të fitojmë gjithçka me këtë fanellë. Kjo është histori, dhe unë dua të hyj në histori dhe të jem një nga të mëdhenjtë”.
ÇELËSI I SUKSESIT – “Është pak nga të gjitha, puna me skuadrën e kombinuar me punën time individuale në shtëpi. Nuk kam reshtur së punuari për asnjë ditë në qendrën stërvitore të Realit. Të gjithë punojmë fort, të gjithë përpiqemi të bëjmë më të mirën, të respektojmë dhe nderojmë këtë fanellë”.