Ushtria izraelite vret 26 palestinezë të tjerë në Gaza, numri i të vdekurve shkon në 51.266

Të paktën 26 palestinezë të tjerë janë vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, duke e rritur numrin e të vdekurve nga lufta gjenocidale e Izraelit që nga tetori 2023 në 51.266, tha sot Ministria e Shëndetësisë e enklavës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të ministrisë thuhet se 60 persona të tjerë të plagosur janë transferuar gjithashtu në spitale, duke e çuar numrin e të plagosurve në 116.991.
“Shumë viktima janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, shtoi ajo.
Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj në Rripin e Gazës më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë 1.890 njerëz dhe ka plagosur 4.950 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit në janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.