Ancelotti drejt largimit nga Reali, kush mund të jetë zëvendësuesi

Leverkusen do të mirëpresë çdo vendim të Xabi Alonsos, në rast se spanjolli dëshiron largimin, nuk do të ketë asnjë pengesë. Drejtuesit e aspirinave i kanë dhënë të drejtë teknikut aktual të marrë vendimin për të ardhmen, por këtë gjë duhet ta bëjë në ditët në vijim, pasi më pas do të duhet të punohet për të gjetur zëvendësuesin e tij.
“Nëse një klub për të cilin ai ka luajtur vjen për të negociuar, ne do të ulemi dhe do të flasim pa vënë pengesa. Ne tashmë po planifikojmë përgatitjen dhe skuadrën me Xabi Alonson. Nëse ai do të largohej në fund, ne duhet ta sqarojmë me të në javët e ardhshme. Nuk mund të presim deri në fund të sezonit”, deklaroi presidenti i klubit gjerman.
Alonso dhe Leverkusen kanë firmosur që në fillim në kontratë një pikë të veçantë, ku në rast se tekniku merr ofertë nga ndonjë prej ekipeve ku ka luajtur si futbollist, mund të largohet menjëherë, duke përmendur këtu Liverpool, Bayern dhe Real Madrid. Me gjasa ai do t’i bashkohet Los Blancos, pasi Ancelotti do të largohet në ditët në vijim, për të marrë drejtimin e Brazilit.