Spanja do të ketë pesë ekipe në Champions sezonin e ardhshëm

Pas Anglisë, edhe Spanja ka siguruar zyrtarisht pjesëmarrjen me pesë skuadra në edicionin e ardhshëm të UEFA Champions League. Ky zhvillim vjen pasi eliminimi i Lazios nga Bodo/Glimt në Europa League i dha fund përfundimisht shpresave të Italisë për të kapur vendin e dytë në renditjen pesëvjeçare të UEFA-s.
Spanja përfitoi nga kualifikimi në fazën tjetër i tre klubeve të saj – Barcelona, Athletic Bilbao dhe Real Betis – të cilat shtuan pikë të rëndësishme në renditje. Ndërkohë, edhe pse Interi arriti gjysmëfinalen në Champions League dhe Fiorentina në Conference League, kontributi nuk mjaftoi për ta mbajtur Italinë në garë për vendin e dytë.
Aktualisht, Anglia kryeson renditjen me katër ekipe ende në garat europiane nga shtatë që kishte fillimisht. Spanja ndjek në vend të dytë me tre skuadra aktive nga shtatë, ndërsa Italia mbetet në vendin e tretë me vetëm dy ekipe të mbetura nga tetë që nisi sezonin.
Gjermania renditet e katërta, ndërsa Franca mban vendin e pestë – por me Paris Saint-Germain ende në garë dhe me mundësi për të avancuar më tej, francezët shpresojnë të ngjiten në renditje.
Spanja i bashkohet Anglisë si dy vendet që do të kenë përfaqësim të zgjeruar në Champions League sezonin e ardhshëm, duke përfituar nga rregullorja e re e UEFA-s që shpërblen vendet me performancën më të mirë kolektive në garat evropiane.