Tentativa e tretë për konstituim të Kuvendit, çfarë do të ndodhë sot në seancë?

Tentativa e tretë për konstituim të Kuvendit, çfarë do të ndodhë sot në seancë?

Kuvendi i Kosovës do të përpiqet për herë të tretë të konstituohet, pas dy tentativave të pasuksesshme të mëparshme. Seanca është thirrur të mbahet në ora 12:00.

Ditën e enjte seanca dështoi të mbahet pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së ftoi për konsultë partitë politike dhe më pas e ndërpreu seancën duke thënë se “nuk pati konsensus” se si të vazhdohet tutje, transmeton Telegrafi.

Subjektet politike, LVV, PDK, LDK, AAK fajësuan njëra – tjetrin për bllokim të institucioneve.

Për zhvillimet në Kuvend, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) reagoi menjëherë pas ndërprerjes së seancës, duke shprehur shqetësim për dështimin e miratimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve – një hap kyç për konstituimin e Kuvendit.
Sipas KDI-së, bllokada është rezultat i mosdorëheqjes formale të anëtarëve të qeverisë në detyrë, të cilët janë zgjedhur si deputetë.

KDI e cilëson këtë si shkelje të qartë të parimeve të ndarjes së pushteteve dhe të dispozitave kushtetuese që ndalojnë mbajtjen e dy funksioneve të papajtueshme njëkohësisht.

Kriza institucionale ka nxitur gjithashtu reagime nga ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë, të cilët edhe kanë kërkuar formimin e institucioneve.

Tentimi i parë për konstituimin e Kuvendit ishte më 15 prill, por PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë insistojnë që anëtarët e qeverisë në detyrë të japin dorëheqje formale para se të betohen si deputetë.

Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kjo nuk është e nevojshme meqë sipas tij, qeveria është në detyrë që prej marsit – periudhës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas Ligjit për Qeverinë, nëse një anëtar i ekzekutivit zgjidhet deputet i Kuvendit, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Sipas rregullores së Kuvendit, deputetët duhet të mblidhen çdo 48 orë.

MARKETING