(VIDEO) Marketet nisin t’i publikojnë çmimet online

(VIDEO) Marketet nisin t’i publikojnë çmimet online

Nga dita e sotme marketet duhet t’i publikojnë çmimet e produkteve që shesin në web faqet e tyre, online. Kjo parashikohet me ndryshimet ligjore dhe Rregulloren e përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, për shitësit e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj që merren me tregti me pakicë në përputhje me klasifikimin Kombëtar të Veprimtarive, ku thuhet se të gjithë tregtarët kanë për detyrë të publikojnë çdo ditë në faqen e tyre të internetit çmimet e mallrave që vendosin në treg në mënyrë të qartë.

Në web faqet e disa marketeve nga mëngjesi i sotëm qëndrojnë të publikuara çmimet e tyre, ndërkaq web faqet e disa të tjera akoma jo. Lidhur me këtë ditën e djeshme nga oda ekonomike e tregtarëve me pakicë kërkuan shtyrje të afatit kohor pasi siç thanë ata tregtarët përballen me sfida të ndryshme në procesin e transformimit digjital.

ODA EKONOMIKE E TREGTARËVE ME PAKICË

Duke marrë parasysh rrethanat dhe sfidat aktuale me të cilat përballen anëtarët tanë në procesin e transformimit dixhital, i dërgojmë një kërkesë zyrtare Ministrisë së Ekonomisë për shtyrjen e afatit për krijimin e faqes së internetit për personat juridikë që i nënshtrohen këtij detyrimi”.

Të mërkurën ministri i ekonomisë Besar Durmishi njoftoi se çdo tregtar me mbi 10 të punësuar do të jetë i detyruar të publikojë online çmimet e produkteve që shet, nga ushqimet e deri te produktet teknike. Ai sqaroi se këtu përfshihen edhe marketet që shesin produkte ushqimore bazë, fruta dhe perime dhe tregtarët që shesin mjete për higjienë, tregtarët me pakicë të teknikës së bardhë, lodrave, produkteve teknike, materialeve ndërtimore, veglave dhe aparateve elektrike.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING