(VIDEO) Tragjedia në Koçan, hetohen dhjetë policë, në 2012-ën rrejshëm pohuan se “Puls” i plotëson kushtet

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë kallëzim penal për 10 policë, për vepra të rënda kundër sigurisë publike për tragjedinë në Koçan. Prej tyre, një në arrati, tre tashmë në paraburgim dhe gjashtë janë privuar nga liria.
MPB
“Të dyshuarit, si persona zyrtarë i kanë mundësuar personit juridik ‘Klasik DM’ DOOEL Koçan marrjen e licencës për kryerjen e veprimtarisë hotelierike – kabare ‘Pulse’ në Koçan në mënyrë që nuk kanë vepruar konform rregulloreve për masat mbrojtëse dhe nuk kanë kryer kontroll të plotë para dhënies së pëlqimit pozitiv për dhënien e licencës së kabaresë, me çka rrezikuan jetën e njerëzve në vend ku grumbullohen një numër i madh njerëzish”.
Pas kallëzimit të policisë, Prokuroria njofton se ka dhënë urdhër për nisjen e hetimit ndaj këtyre zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se veprën penale e kanë kryer në periudhën nga 07.12.2012 – 21.01.2022.
Prokuroria Themelore Publike
“Të dyshuarit si persona zyrtarë në SPB Shtip dhe Stacionin Policor në Koçan, në periudhën e lartpërmendur, si bashkëkryesës, me dhënien e pëlqimeve, të gjithë së bashku i kanë mundësuar personit juridik që të marrë licencë për kryerjen e veprimtarisë hoteliere edhe pse nuk i plotësonte kushtet e parapara”.
Me arrestimet e vetëm ish policëve, sipas LSDM-së, hetimi për Koçanin, mbetet vetëm farsë.
LSDM
“Si është e mundur që 30 ditë pas tragjedisë të kërkohet faji vetëm te ata policë të periudhës 2012-2022 dhe jo për aktualët? Si nuk u gjet asnjë fajtor në mesin e shefave aktual të policisë, të cilët direkt kanë qenë përgjegjës për sigurinë e qytetarëve natën e kobshme”.
Arrestimet BDI i quan të paligjshme dhe sipas tyre ato janë turp për sistemin e drejtësisë dhe një tjetër dëshmi për drejtësinë selektive që po shndërrohet në vegël për përballje politike.
BDI
“Bëhet fjalë për persona që, sipas të gjitha mendimeve profesionale dhe akademike, nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë, por megjithatë mbahen në paraburgim – ndërkohë që të përgjegjës, të mbrojtur nga struktura në pushtet, mbeten të paprekshëm”.
Institucionet kompetente bëjnë me dije se po vazhdon procedura parahetimore për siç thonë zbulimin e personave të rinjë të involvuar në këtë rast.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/