Thomas Muller mund të kalojë tek Man United, por jo në cilësinë e lojtarit

Shefi i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka konfirmuar se Thomas Muller nuk do të marrë ndonjë rol drejtues me bavarezët, por mund të rikthehet në të ardhmen.
Më herët këtë muaj, Muller njoftoi se ai nuk do të rinovojë kontratën e tij me Bayern Munichun e cila do të shkojë drejt fundit këtë verë.
Për këtë arsye, shumë pyetje janë bërë në lidhje me atë se çfarë premton e ardhmja për legjendën gjermane, me një pensionim të mundshëm si opsion.
Sidoqoftë, Hoeness e ka konfirmuar tani se reprezentuesi gjerman nuk do të marrë një rol të tillë tek Bayerni për momentin, por mund të rikthehet pasi të fitojë përvojë në klubet tjera, duke përmendur Manchester United në veçanti.
“Ai do të kalojë tre muaj duke studiuar NBA, tre muaj me NFL, pastaj do të shkojë në Angli, për shembull tek Manchester United”.
“Ai pastaj do të rikthehet me një nivel të caktuar të përvojës dhe pastaj do të diskutoj me ne se ֛çfarë roli mund të marrë tek Bayern në të ardhmen”, ka thënë Hoeness.
Pavarësisht të gjitha raportimeve, Muller ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij dhe mund t’i bashkohet ndonjë klubi tjetër në verë, ku ekziston mundësia të transferohet në Lindjen e Mesme ose në MLS.