Pekini hedh poshtë pretendimet e Kievit se shtetas kinezë “luftojnë” për Rusinë

Pekini hedh poshtë pretendimet e Kievit se shtetas kinezë “luftojnë” për Rusinë

Kina ka hedhur poshtë pretendimet e Kievit se shtetas kinezë “po luftojnë përkrah Rusisë në Ukrainë”, transmeton Anadolu.

“Pretendime të tilla nuk kanë asnjë bazë. Në fakt, pozicioni i Kinës për Ukrainën është shumë i qartë”, u tha gazetarëve Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, në lidhje me pretendimet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, se Kievi arrestoi dy shtetas kinezë që luftonin përkrah forcave ruse në rajonin lindor të Donetskut.

“Pala ukrainase duhet të shohë drejt përpjekjeve dhe rolit konstruktiv të Kinës për zgjidhjen politike të krizës”, tha Lin.

Ai po ashtu kërkoi nga populli kinez të qëndrojë larg konflikteve të armatosura, duke theksuar se Pekini po “verifikon informacionin” nga Kievi mbi pretendimet e supozuara se kinezët po luftojnë për Rusinë kundër Ukrainës.

Zelenskyy tha se “përfshirja e Kinës ishte një sinjal i qartë” se presidenti rus Vladimir Putin nuk dëshiron t’i japë fund luftës.

Megjithatë, zyrtari i ministrisë kineze tha se qeveria kineze gjithmonë u kërkon shtetasve kinezë të qëndrojnë larg zonave të konfliktit të armatosur, të shmangin çdo formë përfshirje në konflikt të armatosur dhe në veçanti të shmangin pjesëmarrjen në operacionet ushtarake të çdo pale.

Më herët, Zelenskyy tha se ushtria ukrainase ka kapur dy shtetas kinezë që po luftonin si pjesë e ushtrisë ruse.

“Kjo ndodhi në territorin ukrainas, në rajonin e Donetskut. Dokumentet e identifikimit, kartat bankare dhe të dhënat personale u gjetën në zotërim të tyre”, tha Zelenskyy. Ai tha se Kievi ka informacione se ka më shumë shtetas kinezë në njësitë ushtarake ruse, gjë e cila po verifikohet.

Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrii Sybiha, më vonë tha se Kievi thirri të ngarkuarin me punë të Kinës në Ukrainë për të dënuar praninë e pretenduar të shtetasve të saj në vend dhe për të kërkuar një shpjegim.

“Shtetasit kinezë që luftojnë si pjesë e ushtrisë pushtuese të Rusisë në Ukrainë e vënë në pikëpyetje qëndrimin e deklaruar të Kinës për paqen dhe minon besueshmërinë e Pekinit si një anëtar i përhershëm përgjegjës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shkroi Sybiha në rrjetet sociale.

Deri më tani nuk ka patur ndonjë reagim nga Rusia. Kina ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare në Ukrainë dhe ka lavdëruar Rusinë për zhvillimin e bisedimeve me Washingtonin për këtë qëllim.

Presidenti kinez, Xi Jinping dhe Putin deklaruan një partneritet “pa kufij” disa ditë përpara luftës në Ukrainë që filloi në 2022.

MARKETING