VLEN: Emëruesi i përbashkët i të gjitha ndikimeve në drejtësi është BDI!

Vlen ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së. Nga atje thonë nuk ka hipokrizi më të madhe se kur BDI qan për drejtësi.
Në vijim po e përcjellim të plotë reagimin e VLEN-it.
Mjaftojnë vetëm tri pyetje të shpejta: Kush e nisi fushatën mediatike kundër Kryetares së Gjykatës Supreme? A ishte kjo fushatë për të siguruar që faljet e Gjorgje Ivanovit të vlejnë edhe për Nikolla Gruevskin? Kush i solli ndryshimet e turpshme në Kodin Penal?
Përgjigjja është e njëjtë për të gjitha:
BDI është emëruesi i përbashkët i çdo vendimi të porositur në drejtësi!
Kjo është partia që mban në radhët e saj Bujar Osmanin – i njohur për tenderët e shpërndarë si “bakshish” për “rent-a-car”-ët e vet, sikur të ishin dhurata ditëlindjesh e jo para publike.
Kjo është partia e Artan Grubit, i shpallur non grata nga aleatët ndërkombëtarë për ndërhyrjet brutale në drejtësi, me qëllim lirimin nga burgu të Sasho Mijallkovit – simbol i krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kjo është partia ku kuadri i tyre, Ixhet Mehmeti, pranoi publikisht se për 10 mijë euro kishte ndërhyrë për uljen e një dënimi penal. Po kjo është BDI-ja që deshi t’ia shtronte qilimin e kuq rikthimit të një non grata tjetër – Nikolla Gruevskit – në Shkup. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, së fundmi opinioni publik pa se të gjitha rrugët e kësaj udhëheqësie çojnë sërish te Gruevski dhe Shasho Mijallkov.
Pse? Sepse djali i Ismail Jahoskit – alias Pucko Petrol, njeriu më i besuar i Ali Ahmetit – përmes ortakllëkut me njerëzit e regjimit të vjetër pompuan 10 miliardë denarë përmes kontratave fiktive dhe mazutit toksik që helmon ajrin që thithim çdo ditë.
Pra, jo vetëm që vidhnin, por edhe na helmonin.
Dhe sot, këta të njëjtit individë që Izet Mexhiti dhe populli i dëboi me votë nga Zona Zgjedhore Nr. 1, kanë fytyrën të flasin për ndershmëri dhe standarde evropiane?
Shqiptarët e kanë dhënë verdiktin:
Nuk ka më vend për Grubin, Osmanin, dhe strukturat e vjetra që shkatërruan politikisht shqiptarët.