Revolucion në Kampionatin Botëror të Klubeve: Rregull i ri për portierët dhe kamerat te gjyqtarët

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) njoftoi sot se gjyqtarët në Kampionatin Botëror për Klube do të pajisen me kamera trupore dhe do të zbatohet një rregull i ri për të luftuar humbjen e kohës së portierëve.
“Gjyqtarët në ndeshje do të mbajnë kamera trupore si pjesë e një faze eksperimentale. Testet janë miratuar nga IFA, organi që mbikëqyr rregullat e lojës”, thuhet në komunikatën e FIFA-s.
Presidenti i Komitetit të Gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina beson se kjo është një mundësi e mirë për t’u ofruar shikuesve një përvojë të re falë imazheve të kapura nga një këndvështrim që nuk është ofruar kurrë më parë.
“Kjo iniciativë është edhe inovative për transmetuesit dhe për trajnimin e gjyqtarëve, sepse është e rëndësishme të jesh në gjendje të vendosesh në vendin e gjyqtarit gjatë lojës, të vlerësosh sesi gjyqtari i merr vendimet e tij e kështu me radhë”, shpjegoi Collina.
Gara do të zbatojë një rregull të ri të miratuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Shoqatave të Futbollit (IFAB) më 1 mars, që synon të reduktojë humbjen e kohës të shkaktuar nga portierët.
Si për kujtesë, nëse ata e mbajnë topin në duar për më shumë se tetë sekonda, gjyqtari do të sinjalizojë për një goditje këndi.
“Duhet të shohim lojën dhe golat, jo gjyqtarin. Gjyqtari është një protagonist që nuk duhet vënë re gjatë ndeshjes. Një gjyqtar i mirë nuk ka nevojë të shihet apo njihet. Por ai duhet të jetë gati”, deklaroi ish-gjyqtari Massimo Busacca.