Gjermania sekuestron cisternën që i përket flotës së fshehtë ruse

Zyrtarët doganorë gjermanë kanë konfiskuar një cisternë që transportonte 100 mijë ton naftë (me vlerë rreth 40 milionë euro), e cila sipas tyre është pjesë e “flotës së fshehtë” të Rusisë që shkel sanksionet, raportoi të premten revista javore Der Spiegel.
Anija Eventin, e cila lundron nën flamurin e Panamasë, ishte nisur nga porti rus i Ust-Luga-s për në Egjipt përmes Detit Baltik kur pësoi një defekt në motor dhe humbi aftësinë për t’u manovruar.
Më 12 janar, tre anije shpëtimi gjermane e shoqëruan Eventin drejt ujërave pranë ishullit Ruegen, afër brigjeve të Sassnitz-it.
Që nga fundi i shkurtit, anija është listuar nga BE-ja si pjesë e “flotës së fshehtë” të Rusisë, shkruan Reuters.
Gjermania mori zyrtarisht pronësinë e Eventin pasi Drejtoria e Përgjithshme e Doganave lëshoi një urdhër konfiskimi të premten e kaluar, sipas Der Spiegel.
Sipas Berlinit, ky veprim “jashtëzakonisht i ashpër” është një sinjal për Moskën që Gjermania “nuk po qëndron duarkryq” përballë tranzitit të naftës ruse përmes Detit Baltik, shtoi publikimi.
Autoritetet gjermane tani po shqyrtojnë mënyrën më të sigurt për të shkarkuar naftën bruto nga anija, si dhe për të vendosur se çfarë do të ndodhë me vetë mjetin lundrues.
Ministria e Financave e Gjermanisë refuzoi të komentojë mbi konfiskimin e raportuar, duke përmendur “masat doganore në vazhdim ose situatën e caktuar të politikës së sigurisë”, raportoi Der Spiegel.
Pas incidentit të muajit janar, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, kritikoi Rusinë për “rrezikimin e sigurisë evropiane jo vetëm me luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës, por edhe me cisternat e saj të amortizuara”.
Rusia është mbështetur në cisterna me pronësi të paqartë dhe pa sigurime të duhura për të vazhduar eksportet e saj të naftës, pasi vendet perëndimore vendosën një embargo dhe një ndalim shërbimesh ndaj industrisë së saj të naftës në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.