Taravari: Edhe kryeministri edhe unë si ministër i Shëndetësisë kemi për detyrim t’i vizitojmë pacientët

Taravari: Edhe kryeministri edhe unë si ministër i Shëndetësisë kemi për detyrim t’i vizitojmë pacientët

Nuk do të doja t’i politizojmë këto momente. Për mua si ministër i Shëndetësisë, para së gjithash, dhe mbi të gjitha, është e rëndësishme që pacientët të jenë gjallë dhe shëndoshë në këto momente krize. Unë informova qysh para disa ditëve në rrjetet sociale se nuk duhet të keqpërdoren fytyrat e pacientëve, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve lidhur me vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq pacientëve maqedonas nga zjarri në Koçan të cilët po mjekohen nga djegiet e vështira në Akademinë Ushtarake – Mjekësore në Beograd.

Sipas Taravarit, ai si ministër i Shëndetësisë dhe kryeministri Hristian Mickoski kanë për detyrë t’i vizitojnë pacientët, duke sqaruar se për vizitë të atyre që kanë djegie nga shkalla e parë nuk duhet asgjë tjetër përveç maskë, përderisa, për ata në kujdes intensiv ka rregulla të veçanta.

“Shpresoj që ne si Qeveri e respektojmë në mënyrë rigoroze këtë, i vizitojmë pacientët. Dua të them edhe një herë, edhe kryeministri edhe unë si ministër i Shëndetësisë kemi për detyrë të shkojmë dhe t’i vizitojmë pacientët që janë në gjendje më të lehtë. Ata që janë në gjendje më të lehtë, gjegjësisht me djegie të shkallës së parë, nuk na duhet asgjë tjetër përveç maskës, ndërsa ata që janë në kujdes intensiv aty ka rregulla edhe te ne edhe jashtë vendit edhe po të duam nuk mund të hyjmë pa qenë të veshur si duhet”, tha Taravari.

I pyetur si i kanë vizituar dje pacientët në Bullgari, duke pasur parasysh atë se të gjithë pacientët aty janë në ventilim mekanik, Taravari tha se kudo ku ka realizuar vizitë të pacientëve ishte i veshur ashtu si duhet.

“Kudo që ishim, ndërsa edhe këtu kur i kam vizituar në ‘8 Shtatori’ dhe Spitalin e Qytetit isha i veshur siç duhet. Megjithatë, mos harroni se kemi edhe pacientë në gjendje të lehtë të cilët kanë djegie të shkallës së parë dhe ata mund t’i shohim vetëm me maskë. Kemi detyrim edhe kryeministri edhe unë çdo ditë të marrim informacione që në fund të kemi përsëri rezultat siç kemi sot”, tha Taravari. 

MARKETING