(VIDEO) Komisioni për Punë Sociale mbeti i bllokuar

Tentimi i sotëm i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi për të zhbllokuar punën e Komisionit Parlamentar për Punë Sociale, demografi dhe rini ka rezultuar i pasuksesshëm. Pas dorëheqjes së deputetes Ilire Dauti nga pozita e kryetares së Kuvendit, Gashi caktoi deputetin e Frontit Evropian Bejxhan Iljaz që të kryesojë me seancën e sotme të komisionit, megjithatë ai nuk u paraqit sot në Kuvend. Iljaz ka theksuar se nuk do të vijë sot në Kuvend për shkaqe subjektive, po po ashtu ka thënë se, është emëruar pa qenë i konsultuar.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut
“Sot në Kabinetin e kryetarit ka arritur letër nga koordinatori i Frontit Europian, ku thuhet se deputeti Bejxhan Iljas do të mungojë në të gjitha aktivitetet në Kuvend. Komisioni për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, i cili ishte paraparë të mbahet sot në ora 11:30, është shtyrë”.
Nga Fronti Evropian kanë thënë se, përmes thirrjes së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinjë, Gashi po tenton që të debllokojë ligjin për branitellat. Deputeti Elmi Aziri tha se nëse Gashi dëshiron vetëm komisionin në fjalë, të thërret seancë plenare dhe të shfuqizohet konkluzioni dhe interpelanca ndaj Dautit në mënyrë që ajo të zgjidhet përsëri kryetare e komisionit.
Elmi Aziri, Deputet i Frontit Evropian
“Nga Fronti Europian nuk do të dërgojmë asnjë propozim tjetër dhe nuk do të pranojmë asnjë lojë tjetër të errët që ka gatuar Gashi me padronët e tij për të kontrabanduar Ligjin për Branitella, por i bëjmë thirrje që të mos provojë këtë ta bëjë as me ndonjë deputet tjetër duke e emëruar si kryesues. Tentativa e sotme për të thirrur mbledhje të Komisionit për Politikë Sociale konfirmon pikërisht atë që ne e paralajmëruam që në fillim, se shkarkimi i Ilire Dautit nga shumica parlamentare, me propozim të vendosur në rend dite nga Afrim Gashi, ka për qëllim t’i hap rrugën debllokimit të Ligjit për Branitella, andaj sot i bëjmë thirrje që të kthjellet dhe të tërhiqet nga këto skenare”.
Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, akuzoi BDI-në se, në bashkëpunim me LSDM-në e nisën këtë si iniciativë për të krijuar tensione edhe në këtë qeverisje.
Bilall Kasami, Lëvizja Besa
“Ne kemi pasur qëndrim parimor që në fillim se, është një çështje e cila është delikate dhe duhet të ketë një zgjidhje adekuate për të dyja anët e konfliktit. Sigurisht se edhe pjesa tjetër, në këtë rast UÇK ka qenë e pranuar si palë dhe me Marrëveshjes së Ohrit, shteti ka pasur për obligim që të bëjë risocializimin e tyre. Pra, ne vetëm këtë kërkojmë, që në këto kushte delikate të mos hapin tema të cilat vazhdojnë të krijojnë tensione në shtet”.
Kujtojmë se, Ligji për Branitellat u propozua nga LSDM-ja. Megjithatë, ligji momentalisht ka mbetur i bllokuar në Komisioni parlamentar për Punë Sociale, Demografi dhe Rini. Fillimisht kryetare e komisionit ishte deputetja nga opozitare shqiptare, Ilire Dauti. Por, për shkak të rezistencës së saj, që të vendos këtë ligj në rend dite, deputetët më 10 janar, miratuan interpelancën kundër saj, të inicuar nga Levica.
Teuta Buçi /SHENJA/