(VIDEO) Jandrokoviq: Do t’ju mbështesim për anëtarësim në BE

Marrëdhëniet politike mes Kroacisë dhe Maqedonisë janë të shkëlqyera, ashtu siç është edhe bashkëpunimi ekonomik. Marrëdhëniet mes dy popujve janë miqësore dhe çdoherë ekziston partneritet, miqësi dhe simpati sepse ato janë të lidhura me lidhje historike. Kështu u shpreh kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, gjatë vizitës së tij tre ditore zyrtare në Shkup. Duke folur për rrugën drejtë antarsimit të vendit tonë në BE dhe problemet me të cilat përballet vendi, Jandrokoviq, tha se RMV mund të konsideroj në mbështetjen e Kroacisë.
Gordan Jandrokoviq, kryetari i Kuvendit të Kroacisë
“Republika e Kroacisë, është mbështetës i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut. E di që po përballeni me probleme, e di që antarsimi juaj në NATO u përmbush me pengesa dhe se ende po përballeni me probleme të caktuara në rrugën drejtë BE-së. Megjithatë ju e keni mbështetjen tonë edhe më tej që t’i menjanoni ato pengesa sepse është mirë të kemi një aleancë, jo vetëm brenda NATO-s por edhe brenda BE-së”.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të RMV-së Afrim Gashi tha se asgjë nuk e ka lëkundur vendin tonë nga rruga drejtë antarsimit në BE.
Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të RMV-së
“Asgjë nuk na ka lëkundur dhe nuk na ka devijuar nga vendosshmëria dhe prioriteti ynë në BE. Jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë për të bërë, reforma për të zbatuar dhe çështje për të zgjidhur, por me aleatët si Kroacia dhe miq të tjerë të BE-së, besojmë fuqishëm se ky proces do të jetë i suksesshëm edhe për ne, ashtu siç ishte për Kroacinë”.
Kryetari i Kuvendit kroat, Gordan Jandrokoviq u prit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Pas takmit me homologun e tij Gashin, Jandrokoviq mbajti fjalim para deputetëve të RMV-së, në nisjen e seancës së 37. Ai poashtu është takuar edhe me kryetaren e shtetit Gordana Siljanovska Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoskit. Ndërsa shtoi se gjatë ditës së djeshme është takuar me kroatët që jetojnë në Maqedoni dhe se nesër do të takohet edhe kompani kroate në vend.
Emine Ismaili /SHENJA/