Franca, Gjermania dhe Britania “të shqetësuara thellësisht” pasi Izraeli pezulloi ndihmën humanitare në Gaza

Franca, Gjermania dhe Britania “të shqetësuara thellësisht” pasi Izraeli pezulloi ndihmën humanitare në Gaza

Franca, Gjermania dhe Britania shprehën “shqetësim të thellë” lidhur me pezullimin izraelit të ndihmës humanitare për Gazën, duke u kërkuar palëve që të angazhohen në negociatat për fazat pasuese të marrëveshjes së armëpushimit, transmeton Anadolu.

“Është jetike që armëpushimi të ruhet, të gjithë pengjet të lirohen dhe të sigurohet flukset e vazhdueshme të ndihmave humanitare në Gaza”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga ministrat e jashtëm të vendeve të E3-shit – Francës, Gjermanisë dhe Britanisë.

Duke i nxitur të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociimin e fazave pasuese të marrëveshjes për të ndihmuar në sigurimin e zbatimit të plotë të saj dhe përfundimin e përhershëm të përleshjeve, vendet kanë përshëndetur gjithashtu përpjekjet e Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së në ndërmjetësimin dhe përpjekjen për të rënë dakord për një zgjatje të armëpushimit.

Duke iu referuar situatës në Gaza, tri vendet thanë se situata humanitare në enklavën palestineze është “katastrofike”.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit që të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare për të siguruar ofrimin e plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar të ndihmës humanitare për popullatën në Gaza”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Tri vendet paralajmëruan gjithashtu se pezullimi i mallrave dhe furnizimeve që hyjnë në Gaza “do të rrezikonte shkeljen e Ligjit Ndërkombëtar Humanitar”.

“Ndihma humanitare nuk duhet të kushtëzohet kurrë nga një armëpushim ose të përdoret si një mjet politik. Ne përsërisim se civilët e Gazës që kanë vuajtur kaq shumë duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të rindërtojnë jetën e tyre”, thuhet në deklaratë.

“Ne kemi nevojë që të gjitha palët të mbështesin armëpushimin dhe të sigurojnë që ajo të çojë në një paqe të qëndrueshme, rindërtimin e Gazës dhe të mundësojë një rrugë të besueshme drejt një zgjidhjeje me dy shtete, në të cilën izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë krah për krah në paqe”, shtoi ai.

Deklarata pasoi vendimin e Izraelit për të ndaluar dërgesat e ndihmave vetëm disa orë pasi skadoi faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Tel Avivit.

Faza e parë gjashtëjavore e marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 19 janar, përfundoi zyrtarisht të shtunën në mesnatë.

Izraeli, megjithatë, nuk ka pranuar të shkojë përpara në fazën e dytë të marrëveshjes për t’i dhënë fund përfundimisht luftës në Gaza, e cila ka vrarë më shumë se 48.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në Gaza.

MARKETING