Futbollisti i Realit dy muaj jashtë, Mbape gati të kthehet/ Ja situata te madrilenët

Lajmi i keq për dëmtimin e Dani Sebajos në ndeshjen kundër Sociedadit është konfirmuar nga Realit i Madridit mëngjesin e të enjtes kur lojtari i është nënshtruar analizave më të hollësishme. Sipas njoftimit të klubit madrilen, mesfushori pritet të jetë jashtë për rreth dy muaj.
Një goditje e fortë për Sebajosin dhe për Karlo Ançelotin, i cili kishte gjetur te andaluziani një element kyç për mesfushën. Mungesa e tij i bashkohet asaj të Bellingamit, i cili është i pezulluar për ndeshjen e radhës të Ligës dhe Champions League.
“Pas testeve të bëra nga Dani Sebajos nga shërbimet mjekësore të Realit, ai është diagnostikuar me një dëmtim në muskul dhe në tendinën e këmbës së majtë”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit. Në fakt Reali nuk ka dhënë kohë për rikuperimin e tij, por parë precedentët, pritet që ai të mungojë për dy muajt e ardhshëm, duke humbur një seri ndeshjesh shumë të rëndësishme.
Një lajm i keq zbutet disi nga një lajm i mirë që ka lidhje me Kilië Mbape. Sulmuesi francez, i cili mungoi në ndeshjen e kupës kundër Sociedadit është kthyer dje në stërvitje rregullisht me pjesën tjetër të ekipit dhe do të jetë gati për përballjen e fundjavës kundër Betisit.