Kina zotohet se do të kundërpërgjigjet ndaj tarifave të fundit të SHBA-së

Kina zotohet se do të kundërpërgjigjet ndaj tarifave të fundit të SHBA-së

Kina është zotuar se do të ndërmarrë “të gjitha kundërmasat e nevojshme” pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të vendosë tarifë shtesë prej 10 për qind ndaj importeve kineze.

Vendimi i Trumpit do të hyjë në fuqi të martën e javës së ardhshme, së bashku me 25 për qind tarifa ndaj importeve kanadeze dhe meksikane, duke intensifikuar luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Dhjetë për qind tarifa ndaj importeve kineze i shtohen taksës ekzistuese prej 25 për qind, vendim që Trump e mori më herët gjatë këtij muaji.

Trump kishte njoftuar – dhe më pas kishte pezulluar – tarifën prej 25 për qind ndaj importeve kanadeze dhe meksikane më herët gjatë këtij muaji. Por, pezullimi njëmujor merr fund të martën. Vendosja e tarifave, sipas Shteteve të Bashkuara, është bërë për shkak të emigrimit të paligjshëm dhe kontrabandimit të fentanilit.

Pas pyetjeve të gazetarëve nëse tarifat do të hyjnë në fuqi javën e ardhshme, Trump shkroi në rrjetet sociale të enjten se derisa të ndalojë problemi i fentanilit “apo të kufizohet”, tarifat e propozuara do të hyjnë në fuqi në datën e paraparë.

“Po ashtu, në atë datë Kinës do t’i vendoset një tarifë shtesë prej 10 për qind”, tha ai duke iu referuar 4 marsit.

Në përgjigje të akuzave të Trumpit se Pekini po kontribuon në krizën me fentanil në SHBA, një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës tha më 28 shkurt se Uashingtoni “po e zhvendos fajin”.

“Kina është një nga vendet me politikat më të rrepta kundër narkotikëve në botë. Por, pala amerikane gjithmonë i ka injoruar këto fakte”, u tha në deklaratë.

“Nëse pala amerikane insiston që të vazhdojë në këtë mënyrë, pala kineze do të ndërmarrë të gjitha kundërmasat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e saj legjitime dhe interesat e saj”, tha zëdhënësi.
Në këtë deklaratë po ashtu u tha se rritja e tarifave “nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve [të SHBA-së]”, duke shtuar se rritja e tarifave do të rrisë “barrën ndaj kompanive amerikane dhe konsumatorëve dhe do të minojë stabilitetin e zinxhirit industrial global”.

Javën e ardhshme, udhëheqja e Kinës do të mblidhet për të prezantuar planet se si të mbrohet ekonomia kineze nga kërcënimet e Trumpit.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha një ditë më parë se shpreson që të bisedojë me Trumpin në mënyrë që të shmangë tarifat e paralajmëruara.

Ndërkaq, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, deklaroi se zyrtarët po punojnë pa pushim që të shmangen tarifat amerikane, por Kanadaja do të përgjigjej “menjëherë” nëse masat hyjnë në fuqi javën e ardhshme.

Trudeau vazhdimisht ka theksuar se më pak se 1 për qind e fentanilit dhe e migrantëve të paligjshëm që hyjnë në SHBA, kalojnë përmes kufirit kanadez.

MARKETING