Ushtria izraelite anulon largimin e ushtarëve, rrit alarmin në Gaza pasi Hamasi shtynë lirimin e pengjeve

Ushtria izraelite ka anuluar largimin e ushtarëve të “Divizionit të Gazës” dhe ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në mesin e forcave të saj të stacionuara në Gaza, duke u përgatitur për një rivendosje të mundshme të konfliktit nëse armëpushimi rrëzohet, transmeton Anadolu.
Gazeta izraelite ‘Yedioth Ahronoth’ raportoi se vendimi erdhi pasi Hamasi njoftoi shtyrjen e lirimit të pengjeve izraelite. Si kundërpërgjigje, ushtria izraelite ndërpreu lejen për ushtarët e “Divizionit të Gazës” dhe rriti gatishmërinë në Rripin e Gazës.
Megjithatë, sipas raportit, zyrtarë të lartë ushtarakë izraelitë kanë treguar se nuk pritet asnjë veprim ushtarak nëse nuk bëhet e qartë se Hamasi nuk po i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit.
Më herët, krahu ushtarak i Hamasit, Brigada Al-Qassam, njoftoi shtyrjen e lirimit të pengjeve izraelite të planifikuar për të shtunën, duke përmendur si aryse për shtyrjen shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes së armëpushimit nga Izraeli.
Marrëveshje prej tre fazash e armëpushimit ka qenë në fuqi në Gaza që nga 19 janari, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë të paktën 48 mijë njerëz dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Në fazën e parë të armëpushimit, që është caktuar të zgjasë deri në fillim të marsit, 33 pengje izraelite do të lirohen në këmbim të një numri të burgosurish palestinezë. Shkëmbimi i gjashtë midis Hamasit dhe Izraelit ishte planifikuar këtë javë.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.