(VIDEO) Durmishi: Udhëheqësia e kaluar ka keqpërdorur dy milionë euro
![(VIDEO) Durmishi: Udhëheqësia e kaluar ka keqpërdorur dy milionë euro](https://shenja.tv/wp-content/uploads/2025/02/Durmishi.png)
“Në ministrinë e ekonomisë udhëheqësia e kaluar ka bërë shkelje të shumta administrative dhe ligjore dhe ka dëmtuar buxhetin e shtetit për një procedurë të veçantë administrative për 2 milion euro, si rezultat i mosmarrjes së masave nga ana e komisioneve të ministrisë në periudhën prej vitit 2019 e deri më 2023”. Kështu bëri të ditur ministri i ekonomisë dhe punës Besar Durmishi, duke iu referuar revizionit që është bërë në po këtë institucion. Ai tha se komisionet për kundërvajtje janë formuar në vitin 2022, por deri më 2024 nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim duke bërë që shumë lëndë të vjetërsohen dhe shteti të humbet këtë shumë. Durmishi kërkoi nga organet kompetente që të ndërmarrin masa për të zbardhur gjitha çështjet.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË DHE PUNËS
“Sipas raportit gjatë kësaj periudhe janë bërë shkelje të shumta dhe mosrespektimi I procedurave administrative dhe rregullores së brendshme. Shkelje janë bërë në procedurën e furnizimeve publike. Në vitin 2021 është bërë furnizimi I softverit për menaxhim të aplikacioneve nga personat fizik dhe juridik për nevojat e ministrisë në vlerë prej 2 milion e 490 mijë denarë por I njejti nuk është në funksion dhe nuk ka asnjë shpjegim se pse nuk është vënë në funksion ky softver. Ka indikacione për shkelje të procedurave pasi që i gjithë procesi është kryer në afat prej 15 ditëve, kur dihet se bëhet fjalë për një softver që kërkon kohë dhe profesionizëm”.
Ai gjithashtu thotë se në vitin 2022 është lidhur kontratë për ndërtimin e një qendre foto-voltaike në vlerë prej 25 milion denarëve , por punimet për të nuk janë realizuar aspak.
BESAR DURMISHI MINISTËR I EKONOMISË
“Po ashtu në vitin 2022, është nënshkruar kontratë për furnizim publik për punë ndërtimore në lidhje me ndërtimin e Linjës infrastrukturore dhe rrethojat e parcelave në lokacionin Manastirec në Makedonksi Brod, dhe në lokacionin Amzabegovoi Sveti Nikole, në shumë prej 25 milion denarë ( 400 mijë euro). Nga ana e revizionit janë konstatuar disa lëshime, të cilat janë dyshuese se ka të bëjë me faktin se edhe pse është nënshkruar kontratë me firmën përzgjedhëse realizuese këto punë nuk janë kryer aspak gjegjësisht bëhet fjalë për ndërtimin e një qendre foto-voltaike”.
Ai theksoi se parregullsi janë konstatuar edhe në angazhimin e personave me kontratë në vepër si nga aspekti i pranisë në punë dhe mungesës së evidencës, detyrat dhe obligimet e punës dhe përgatitjes profesionale adekuate të tyre. “Revizioni shkelje ka konstatuar edhe në shfrytëzimin e veturave zyrtare dhe mos plotësimi i dokumentacionit adekuat ligjor, këtu përfshihet edhe furnizimin me karburant të këtyre veturave”, tha Durmishi.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/