Bubevski: Procedura është zgjeruar edhe për prindërit e të pandehurit Vasill Jovanov që e ka përplasur për vdekje Frosina Kullakovën
Prokurori publik Gavrill Bubevski informoi se prokuroria ka vepruar konform të gjitha procedurave standarde në rastin e përplasjes me veturë të Frosina Kullakovës. Ai ka thënë se procedura është zgjeruar edhe për prindërit e të pandehurit Vasill Jovanov, i cili e ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe pa patentë shofer.
Në daljen e sotme në televizionin Tellma, Bubevski tha se prokuroria ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbledhjen dhe analizimin e dëshmive, përfshirë video-materialet dhe ekspertizën për shpejtësinë e automjetit. Është konstatuar se drejtuesi i automjetit ka kaluar në semafor të kuq, gjë që, tha ai, e ngrit përgjegjësinë penale dhe ngre një aspekt të supozuar.
“Këtu nënkuptohet qëllimi. Sepse për të ekzistuar qëllimi, kryerësi duhet të jetë i vetëdijshëm për veprimet ose mosveprimet e tij që ka qenë i detyruar t’i kryejë, por është pajtuar me pasojën. Këtu lehtë mund të konstatohet se drejtimi nën ndikimin e alkoolit, me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar, është lëndë për ekspertim, por me faktet e tjera tashmë është përcaktuar qëllimi. Sepse arrin në një vendkalim për këmbësorë ku drita është e kuqe dhe këtu tashmë je dakord me pasojat që mund të ndodhin. Nuk ka më vend për ndonjë kualifikim tjetër ligjor lidhur me këtë pjesë”, tha ai.
Prokurori bëri me dije se procedura është zgjeruar edhe tek prindërit dhe janë dhënë urdhra përkatëse në Ministrinë e Punëve Brendshme për të hetuar rrethanat, si kush i ka siguruar fondet për benzinë në automjet, kur është blerë mjeti dhe kush e përdor. Ai tha se do të ishte përgjegjëse që të pandehurit t’i sigurohet një mjet për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.
“Procedura ndaj të pandehurit për këtë vepër është zgjeruar për të shqyrtuar ndikimin dhe veprimet e prindërve në drejtimin në të cilin këtij personi i është mundësuar të ketë mjet që shkakton rrezik të përgjithshëm”, tha Bubevski.
Lidhur me të pandehurin Vasill Jovanov dhe krimet e tij të mëparshme, konkretisht për veprën penale nga viti 2023 kur ai përplaset me një automjet dhe ka lënduar lehtë bashkëudhtaren e tij, propozim që përfundon me gjobë, gjegjësisht në pyetjen se si është e mundur që dikush të drejtojë automjet për një periudhë kaq të gjatë pa patentë dhe që të mos zbulohet, ai u përgjigj se çelësi është parandalimi.
“Për të parandaluar të gjitha këto, duhet të fillojmë nga vetja, nga familja dhe gjithçka që vijon”, tha prokurori.
I pyetur nëse prokuroria është duke i shqyrtuar veprimet e tyre në lidhje me të pandehurin Jovanov dhe krimet e tij të mëparshme, ai tha se kanë vepruar ashtu siç e kërkon rregullorja e punës.
Në lidhje me atë që duhet të ndryshojë që të mos ndodhin gjëra të tilla, ai tha se duhet ndryshuar përgjegjësia. Ndërsa sa i përket ndryshimit të gjobave në komunikacion, ai tha se ato janë adekuate.