(VIDEO) Kolona të gjata në kufi, pika e përbashkët me Kosovën do të presë pranverën!
Dy shtetet fqinjë, Maqedoni e Veriut-Kosovë, të afërta, por shumë të largëta njëkohësisht. Kolonat e gjata të veturave që presin për dalje nga RMV, po shkaktojnë revoltë të madhe tek qytetarët për të cilët, një vend shumë i afërt me vendin e tyre është bërë i pa arritshëm. Ata vazhdimisht janë ankuar se për dalje nga kufiri është dashur të presin me orë të tëra ndërsa kufirin e Kosovës e kanë kaluar pa asnjë pengesë. Të pyetur nga TV SHENJA lidhur me këtë, nga MPB thonë se gjatë vikendeve ka fluks më të madh të udhëtarëve dhe me qëllim të zvogëlimit të pritjeve të gjata janë angazhuar policë shtesë për kryerje të kontrolleve.
MPB
“Ju njoftojmë se Byroja e Sigurisë Publike përmes njësive organizative kompetente për kryerjen e kontrolleve kufitare në pikën kufitare Bllacë e Poshtme – Hani i Elezit, shfrytëzon të gjitha resurset njerëzore dhe teknike në dispozicion, për kontrollin në kohë dhe të sinkronizuar të kufirit në këtë pikë. Në këtë drejtim, gjatë fundjavave kur pritet një fluks më i madh i udhëtarëve si për hyrje ashtu edhe për dalje nga vendi, janë angazhuar edhe oficerë të tjerë policorë për të zvogëluar kohën e pritjes për kontrollin kufitar”.
Ndërkaq sa i përket pikës së përbashkët kufitare me Kosovën që ishte paraparë të niste funksionimin nga 1 janari i këtij viti, ata thonë se ky proces është duke u zhvilluar dhe i njejti kërkon përfshirjen e shumë institucioneve .
MPB
“Lidhur me vendosjen e pikëkalimit të përbashkët kufitar Bllacë – Hani I Elezit, ju informojmë se vetë procesi për zbatimin e këtij bashkimi të kontrolleve kufitare kërkon përfshirjen e një numri të konsiderueshëm të ministrive dhe institucioneve kompetente, mjeteve materiale dhe teknike, si dhe burimeve njerëzore. Aktualisht po punohet me vrull të madh me synimin për vendosjen sa më të shpejtë të Kalimit të Përbashkët Kufitar”.
Tashmë disa muaj, qytetarët e vendit ballafaqohen me pritje të gjata për dalje nga kufiri i vendit i cili lidh RMV-në me Kosovën.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/