Mickoski: Pranojmë pagë minimale të cilën do ta dakordojnë punëdhënësit dhe punëtorët

Mickoski: Pranojmë pagë minimale të cilën do ta dakordojnë punëdhënësit dhe punëtorët

Në vazhdimin e mbledhjes së sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve kryeministri Hristian Mickoski paralajmëroi se Qeveria do ta pranojë çdo marrëveshje për pagën minimale ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve. Kjo ishte përgjigja për pyetjen e Jovana Trençeskës nga LSDM e cila e pyeti nëse do të vinte në vete dhe do ta pranojë propozimin e sindikatave për rritjen e pagës minimale prej 500 euro.

“Paga minimale do të jetë ajo pagë për të cilën do të merren vesh punëdhënësit dhe punëtorët. Ne jemi palë e cila duhet ta lehtësojë atë proces dhe si të tillë ta shohë dhe ta mbështesë kur do të përfundojë nëse ka zgjidhje. Çdo zgjidhje të cilën do ta pranojnë ne do ta pranojmë dhe këtu nuk ka kurrfarë dileme. Të hënën ka pikë të rendit të ditës e cila ka të bëjë me pagën minimale dhe shpreson se punëdhënësit dhe punëtorët do të arrijnë marrëveshje, të cilën ne do ta mbështesim”, tha Mickoski.

Deputetja Trençevska pyeti nëse do ta pranojë propozimin e LSDM-së për heqjen e tatimit të vlerës së shtuar (TVSH) për produkte ushqimore me qëllim që të ulen çmimet në markete. Ajo kërkoi përgjigje se si do ta zgjidhë Qeveria problemin me çmimet e larta, pasi, siç tha, qytetarët përmes bojkotit po bëjnë përpjekje të gjejnë zgjidhje.

“Është e drejtë legjitime të ketë nismë qytetare për të bojkotuar marketet, e kuptoj dhe nuk shoh asgjë të gabuar, është legjitime të kesh qytetarë që do të manifestojnë revoltën ashtu siç mendojnë se duhet të jetë. Varet nga ne apo nga vlerësimi juaj politik nëse do të tregohet mirëkuptimi apo jo. Përveç shpifjeve dhe sulmeve, nga LSDM-ja nuk kam dëgjuar se a tregon mirëkuptim ndaj atyre që bëjnë thirrje për një nismë të tillë. Në një konferencë për media në Qeveri kam qenë i qartë dhe i saktë se po tregojmë mirëkuptim me qytetarët”, tha kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Jovana Trençevska.

Lidhur me politikën për shporta, kryeministri e përkujtoi Trençevskën se edhe ata kishin të tilla, por dallimi është se u ul në tavolinë me të gjitha palët e prekura, e jo me dhunë si në kohën e LSDM-së.

“Jep rezultat apo jo, këtu kemi mendime të ndara, disa thonë se jep rezultate, disa thonë jo. Ajo që bëmë dhe është ndryshe nga ato të mëparshmet, u ulëm edhe me prodhuesit edhe me marketet, biseduam dhe caktuam produktet që ia lamë në besim Qeverisë që të përcaktohen si një listë e vënë në dispozicion të qytetarëve. Kjo është ndryshe nga ajo që është praktikuar në të kaluarën kur është ndjekur politika e forcës dhe presionit”, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski foli për shportën minimale të konsumit me çka theksoi se publiku në Maqedoninë e Veriut duhet të dijë se mbi kurrizin e popullit po bëhet politikë e llojit më të ulët, si manipulohet gjatë llogaritjes, ndërsa e llogarisin ish funksionarë të LSDM-së.

“E keni parë metodologjinë për shportën minimale të sindikatës? Unë do t’ju jap një përgjigje nëse nuk e keni parë. Unë nuk kam ngrënë shalqi dhe qershi në janar në jetën time, nuk e di për ju në LSDM, ndoshta është një praktikë e zakonshme për ju. Është pjesë e metodologjisë së përllogaritjes së shportës minimale të konsumit, ku përfshihen çmime nga disa markete që njihen për publikun si ekskluzive, pa llogaritur çmimin mesatar. E llogaritin Nikolla Poposki, ish-nënkryetar i LSD-së, Dragan Tevdovski, ish-ministër i Financave nga LSDM-ja dhe Branimir Jovanoviq, i cili ishte pjesë e Lenkës, Levicës dhe më pas u bë këshilltar i Tevdovskit. Kam shkuar në disa markete dhe kam nxjerrë disa produkte nga shporta e konsumatorit dhe kam konstatuar se vetëm për ushqim dhe pije shuma është 3.000 denarë më pak se sa është deklaruar në shportën minimale sindikale, ose 15 për qind më pak. Këtë do ta paraqes në Këshillin Socio-Ekonomik me fotografi që të shihen çmimet reale”, theksoi kryeministri Mickoski.

Deputetja Trençeska tha se nuk është e kënaqur nga përgjigjet e të gjitha tre pyetjeve, por nuk parashtroi pyetje shtesë. 

MARKETING