Aliu dhe Nikolloski inspektojnë punimet në rrugën Prizren – Tetovë
Dy ministrat, ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, bashkë me ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, kanë vizituar punimet në rrugën Prizren-Tetovë, transmeton Anadolu.
Ministri Aliu gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar edhe nga zëvendësi i tij Hysen Durmishi, gjithashtu edhe ministri Nikolloski nga zëvendësja Kaltrina Zekolli-Shaqiri.
Pas vizitës, ministri Aliu nëpërmjet rrjeteve sociale është shprehur se projekti me vlerë mbi 33 milionë euro do të rrisë bashkëpunimin midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ky projekt i rëndësishëm, me vlerë mbi 33 milionë euro dhe gjatësi prej 20.3 kilometra, do të rrisë bashkëpunimin mes dy shteteve tona dhe do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave. Pas përfundimit të rrugës, koha e udhëtimit do të shkurtohet nga tre orë në më pak se një orë, duke ofruar një lidhje më të shpejtë dhe të sigurt përmes peizazhit mahnitës të maleve të Sharrit”, ka shkruar Aliu.
Çështja e rrugës Prizren-Tetovë ishte në mesin e çështjeve që u diskutuan edhe në mbledhjen e fundit të dy qeverive Kosovë-Maqedoni e Veriut në Prishtinë më 18 nëntor 2024.
Rruga Prizren-Tetovë, punimet për të cilën zyrtarisht nisën më 13 gusht 2024, shihet si një mundësi e cila do të rrisë përfitimet ekonomike më shumë se sa kostoja e saj e ndërtimit.
Aktualisht, Kosova dhe Maqedonia e Veriut lidhen në tri vendkalime kufitare. Pika kryesore kufitare gjendet në Han të Elezit dhe ajo lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi”.