Vuçiq: Në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosim nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të formojmë qeverinë e re
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shpjeguar procedurën që pason dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq.
“Procedura është: konstatohet dorëheqja e tij në Kuvend dhe më pas fillon afati 30 ditor për zgjedhjen e qeverisë së re ose thirrjen për zgjedhje. Unë do të filloj procedurën dhe nuk do t’i shmang konsultimet, edhe pse e di që do të marr vetëm ofendime nga ata që lajkatojnë dikë dhe nuk kanë mbështetjen e popullit. Unë jam i hapur për të dyja opsionet, qoftë për zgjedhje, qoftë për përbërjen e një qeverie të re. Falë sjelljes së papërgjegjshme të disave, rrezikohet stabiliteti dhe paqja civile e Serbisë. Disa e përkrahin dhunën në çdo mënyrë”.
Ai tha se në 10 ditët e ardhshme do të merret vendimi nëse do të shkohet apo jo në zgjedhje, transmeton Telegrafi.
“Këtë nuk e prisnim, sepse gjithçka shkonte mirë deri në incidentin e mbrëmshëm, që për mendimin tim është e pashpjegueshme. Si një nga themeluesit e Lëvizjes, së shpejti do të paraqitem në Novi Sad dhe do t’i drejtohem popullit, sepse ikja nga dikush në vendin tim nuk më shkon në mendje”, shtoi presidenti serb.
Gjithashtu bëri të ditur se nuk do të ketë qeveri tranzitore.
“Nuk do të lejoj që më të papërgjegjshmit ta shkatërrojnë Serbinë siç kanë bërë në të kaluarën. Aq shumë e duan demokracinë, saqë kur u përmend zgjedhjet, të duket sikur u fut gishtin në sy. Është e mundur të marrësh pushtetin me dhunë, ndoshta është e mundur, por për këtë do të duhej të më vrisnin. Populli i Serbisë dëshiron njerëz normalë në pushtet”, theksoi Vuçiq.
Premtoi se nuk do t’i shmanget konsultimeve me të gjitha palët. Tha se është i hapur edhe për zgjedhje edhe për konsultime, dhe shtoi se kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, është për formimin e qeverisë së re. /Telegrafi/