(VIDEO) LSDM dhe VMRO fajësojnë njëra-tjetërn për gjendjen në onkologji
Përplasjet mes rivalëve politik nuk kanë munguar as edhe në kampin maqedonas. Rasti i Onkologjisë ka përplasur LSDM-në opozitare dhe VMRO-DPMNE-në.
Nga LSDM kërkojnë dorëheqjen e drejtorëve të Klinikës së Onkologjisë, drejtorit të Fondit për Shëndetësi, Sasho Klekovski dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, pasi partia opozitare ka shprehur shqetësim serioz për gjendjen në Klinikën e Onkologjisë, ku mungesa e barnave ka vënë në rrezik terapinë e pacientëve që varen nga kjo.
LSDM
“Janë të papranueshme justifikimet kur bëhet fjalë për jetën e njerëzve. Kaosi i Onkologjisë duhet të ketë përgjegjësi. Këta persona nuk kanë ofruar terapi adekuate për pacientët, e cila është drejtpërdrejt e rrezikshme për jetën. Pacientët janë lënë në vuajtje, ndërsa qeveria po e zgjidh problemin me donacione, ndërsa në të njëjtën kohë shpall blerjen e aeroplanit”.
Ndërkaq, nga VMRO-DPMNE theksojnë se Barnatorja Panovski është e afërt me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçen, duke akzuar se vetëm nga Onkologjia kjo barnatora merrte mbi 12 milionë euro në vit, madje ata publikisht parashtrojnë disa pyetje publike.
VMRO-DPMNE
“A po krijohet kjo krizë artificiale vetëm për të blerë barna me çmime jashtëzakonisht të larta nga farmacia Panovski? A duhet të përgjigjet Venko Filipçe nëse e përkrah këtë tregtar me shumicë në krizë dhe a qëndron ai pas saj? Sa janë fitimet reale shtesë të mafies farmaceutike? Kush përfiton nga vuajtja e të sëmurëve”.
Nga partia në pushtet i bëjnë thirrje prokurorit publik dhe gjithë sistemit të drejtësisë që të marrin masa urgjente dhe vendimtare, siç thonë, për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie të kahershme.
Samir Mustafa /SHENJA/