(VIDEO) Agjencia Kreditore “Standard & Poor’s”: Maqedonia e Veriut me “Perspektivë Stabile” Kreditore BB-
Maqedonia e Veriut ka marrë konfirmim për politikat e saj nga Agjencia Kreditore “Standard & Poor’s”, duke e ruajtur rejtingun e saj kreditor BB- me “perspektivë stabile”. Agjencia vë në dukje përcaktimin e Qeverisë për reforma gjithëpërfshirëse me qëllim të përshpejtimit të rritjes ekonomike, përforcimit të kapaciteteve administrative, luftimit të korrupsionit dhe përforcimit të sundimit të ligjit.
Në raport, Agjencia thekson se prioritet kryesor i Qeverisë është stimulimi i rritjes ekonomike dhe arritja e normave të rritjes deri në 5% përmes realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore. Agjencia gjithashtu thekson se po bëhen përpjekje për përforcimin e investimeve, përmirësimin e inkasimit të tatimeve, si dhe rritjen e pensioneve dhe pagave në përkrahje të qytetarëve.
Duke vepruar kështu, ata vënë në dukje nevojën për zbatimin e konsolidimit të përforcuar fiskal. Siç është cekur në raport, me Buxhetin e miratuar për vitin 2025, deficit është projektuar në 4% të PBB-së.
Agjencia Kreditore “Standard & Poor’s”
“Të ardhurat pritet që të rriten për 13%, duke arritur nivelin prej 35.7% të PBB-së, si rezultat i inkasimit më të madh të tatimeve dhe kontributeve të sigurimit social, si dhe normave më të larta të rritjes ekonomike. Shpenzimet do të rriten për 10.3%, që do të thotë 40% e PBB-së, për shkak të rritjes së pagave në sektorin publik dhe transfertave sociale, më shumë mjeteve për mbrojtjen shëndetësore, si dhe për investimet kapitale, që planifikohen në nivel prej 47.2 miliardë denarëve ose 4.2% të PBB-së”
Sipas “Standard & Poor’s”, presion ndaj arritjes së deficitit buxhetor të projektuar mund të paraqesë arritja e normave më të ulëta të rritjes nga ajo që është projektuar, pagesa më e ulët e tatimeve, ekonomia gri, si dhe rritja e shpenzimeve për investime. Agjencia thekson se kërkesa e jashtme e dobët dhe aktiviteti i kufizuar investues kufizuan rritjen ekonomike në 2.6% në tre tremujorët e parë të vitit 2024. Agjencia pret përmirësimin e rritjes ekonomike prej 2.9% në vitin 2025 dhe stabilizimin e saj në nivel prej rreth 3% deri në vitin 2027. Agjencia pret që norma e inflacionit të mbetet mesatarisht 3.5%, si rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore. Agjencia vlerëson se zbatimi i reformave strukturore mund të sjellë progres sinjikativ për vendin, përkrahur nga përmirësimi i performancës fiskale, reduktimi i borxhit dhe rritja e fuqishme ekonomike. /SHENJA/