(VIDEO) Marrëdhëniet me fqinjët, Greqia i reagon Mickoskit: Mos provoko!
Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në SHBA, pasi ky i fundit nga Nju Xhersi ka folur për çështjen e “pazgjidhur” dhe “ekzistuese” maqedonase. Sipas MPJ-së greke çështja maqedonase është e zgjidhur me Marrëveshjen e Prespës.
MINISTRIA E JASHTME E GREQISË
“Kjo ngjarje përbën një sfidë për Greqinë, pasi tenton të rikthejë në plan të parë një çështje të zgjidhur, siç dihet, përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme”.
Greqia rikujton se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimi i qetë i rrugës evropiane të fqinjit të saj kërkon respekt të plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe, natyrisht, abstenim nga deklaratat dhe pretendimet e papajtueshme ndaj vendeve fqinje.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, në një takim me disa maqedonasë që jetojnë në SHBA, deklaroi se ai në shtatë muajt që është në pushtet po përpiqet fort për zhvillimin ekonomik te vendit, por sipas tij kjo nuk është e mjaftueshme pasi duhen përpjekje për të fituar – siç ka thënë ai- edhe në Uashington, në Nju Jork, në Bruksel, Berlin, Londër, Paris, Romë dhe kryeqytete të tjera të botës, që çështja maqedonase të zgjidhet përfundimisht, sepse nuk është zgjidhur. “Ka shekuj që ‘zien’ , ka kohëzgjatje dhe vazhdon të ekzistojë”, ka thënë më tej i pari i qeverisë.
Samir Mustafa /SHENJA/