(VIDEO) Luftën në Ukrainë e quan operacion ushtarak – Siljanovska përdor retorikën e Putinit, reagon BDI dhe ASH e Selës
Në fjalimin e mbajtur gjatë pritjes tradicionale vjetore për përfaqësuesit e trupit diplomatik, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova deklaroi se anëtarësimi në BE ishte dhe mbetet interesi dhe prioriteti kryesor shtetëror i Maqedonisë. Por, gjatë këtij manifestimi, ajo përdori edhe terminologji që ishte e kundër me deklaratën paraprake për përcaktimin e qartë në kampin perëndimor. “Ne kemi mbajtur anën e Ukrainës që nga fillimi i operacionit ushtarak rus, besojmë se kjo nuk është vetëm për shkak të një politike të vetme evropiane, por edhe jashtë parimit”, ka deklaruar presidentja Siljanovska.
Për këtë kanë reaguar partitë shqiptare pjesë e Frontit Evropian. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim vlerësojnë se një narrativë e tillë është e papranueshme dhe bie në kundërshtim me qëndrimet e Maqedonisë së Veriut si anëtar të NATO-s dhe si vend aspirant për integrim europian.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Përshkrimi i një agresioni të përgjakshëm që ka shkaktuar vuajtje të pafundme si një ‘operacion ushtarak’ relativizon aktet kriminale dhe mohon realitetin e hidhur që po përjeton populli ukrainas. BDI riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe dënon çdo përpjekje për të përdorur gjuhë që i përshtatet propagandës së Kremlinit”.
Reagim pati edhe nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Selës, nga ku thonë se presidentja Gordana Siljanovska Davkova në vend që të rreshtohet me vendet perëndimore dhe të respektojë obligimet që dalin nga anëtarësimi në NATO, ajo ndjek rrugën e aleatëve të Rusisë, si Serbia dhe vendet e tjera anti NATO.
Aleanca për Shqiptarët, Fronti Evropian
“Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s, përdor retorikën zyrtare të Putinit dhe propagandën e Kremlinit zyrtar për një konflikt të paprovokuar që ka shkaktuar mijëra civil të pafajshëm”.
Ata shtuan se përdorimi i shprehjeve të këtilla cenon pozicionin ndërkombëtar dhe aspiratat euro-integruese, ndërsa siç theksuan, konfirmon edhe një herë mentalitetin dhe orientimin pro rus të Qeverisë aktuale.
Anida Murati /SHENJA/