(VIDEO) Regullatori ndau 299 licenca për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme
Komisioni Rregullator i Energjetikës, në vitin 2024 lëshoi 299 licenca për kapacitete të reja energjetike për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme – dielli, me një fuqi të instaluar totale prej afërsisht 330 megavatë.
MARKO BISLIMOVSKI, KRYETAR I KOMISIONIT RREGULLATOR
“Për të tretin vit radhazi, investimet në burimet e rinovueshme të energjisë nuk kanë humbur ritmin. Vetëm në vitin 2024, iniciativa private realizoi investime energjetike që në totalin e fuqisë është diçka më shumë se një bllok i kombinatit të minierave energjetike – Manastir. Edhe pse bëhet fjalë për një lloj energjie të ndryshme, njëra është nga burime të rinovueshme dhe karakteristika e saj është se është e disponueshme kur ka kushte (diell, erë, ujë), ndërsa tjetra është energji bazë, megjithatë këto shifra janë të rëndësishme kur shihet nga perspektiva më e gjerë”.
Bislimovski sqaroi se me ciklin investues, i cili është në vazhdim për tre vite, 2022, 2023 dhe 2024, është arritur një kapacitet i instaluar prej afërsisht 880 megavatë, dhe si rezultat është rritur prodhimi vendas i energjisë, i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e familjeve nga Shkupi, Gostivari, Velesi, Manastiri, Dojrani, Shën Nikolla, Ohri dhe Strumica, ose gjithsej 285 mijë familje.
Në vitin 2022 janë lëshuar licenca me një fuqi të instaluar totale prej 152,2 megavatë, ndërsa në vitin 2023 me 399 megavatë, që ka ndikuar që importi neto i energjisë elektrike nga 30% të zvogëlohet në një nivel rekord historik prej 2,75%, theksohet në njoftimin e Komisionit Rregullator të Energjetikës. /SHENJA/