Haxhiu në Podujevë flet për aksionin ndaj strukturave paralele: Ata prokurorë që nuk guxojnë le të rrinë në shtëpi
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë tubimit elektoral të mbajtur në Podujevë ka folur për aksionin e Policisë së Kosovës të zhvilluar sot, më 15.01.2025, ndaj strukturave paralele serbe në disa komuna të Kosovës.
Ajo falënderoi Policinë dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, ndërsa tha se Prokuroria i la vetë duke thënë se nuk kanë dorë në mbylljen e strukturave paralele.
Haxhiu u “çoi” mesazh prokurorëve duke iu kërkuar të shkojnë në shtëpi.
“Me lejoni të përshëndes Policinë e Kosovës dhe ministrin Sveçla. Sot ministri dhe Policia u la vetë nga Prokuroria. Ata thanë që ne s’kemi dorë në mbylljen e strukturave paralele. Por edhe nga Llapi u çojmë mesazh atyre që ata prokurorë që nuk guxojnë le të shkojnë sepse vendi i tyre nuk është në prokurori, le të rrinë në shtëpi, por nëse përnjëmend nuk i kryejnë detyrat duhet me dhënë përgjegjësi për këtë”- ka thënë Haxhiu.
“Do të angazhohemi që në Kosovë me pasë shtet të së drejtës dhe të gjithë prokurorët që nuk veprojnë – me u përgjigj para ligjit”- shtoi tutje ajo.
Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion të gjerë në disa komuna të Kosovës, duke mbyllur dhjetëra objekte të strukturave paralele serbe, përfshirë objekte komunale, posta e zyra të Administratës Tatimore të Serbisë.
Përmes një komunikate Policia njoftoi se qëllimi i aksionit ishte ndërprerja e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka, etj.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka, etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës”- tha Policia përmes komunikatës.
Por, Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate më 15.01.2025 ka njoftuar se prokurori i shtetit nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve nga ana e Policisë në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele.