(VIDEO) Ilire Dauti mbetet kryetare e komisionit, interpelanca nuk ka efekt juridik
Deputetja Ilire Dauti mbetet kryetare e Komisionit parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, pavarësisht se shumica e deputetëve, të premten e kaluar votuan pro interpelancës së inicuar kundër saj. Këtë e kanë konfirmuar sot nga kabineti i kryeparlamentarit Afrim Gashi, prej ku thanë se, vota e interpelancës është shprehje e deputetëve dhe nuk ka pasoja juridike detyruese për shkarkim dhe nuk ka efekt juridik.
Kuvendi i RMV-së
“Emërimet dhe shkarkimet rregullohen nëpërmjet procedurave të tjera të veçanta të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetutën. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet i palëkundur në përkushtimin e tij për ruajtjen e integritetit institucional, respektimin e ligjeve, Rregullores, Kushtetutës dhe sigurimin e transparencës në të gjitha procedurat parlamentare”.
Edhe zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti tha se, Dauti mbetet kryetare e komisionit. Ai tha se, kanë vërejtje për punën e deputetes por, kur ka interpelancë nga Levica, ata do të jenë kundër dhe do ta mbështesin deputeten.
Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i RMV-së
“Nuk ka nevojë për drama! Ilire Dauti ka qenë kryetare e komisionit dhe mbetet kryetare e komisionit, i uroj shëndet dhe të bëjë punën si duhet”.
Edhe për kundër faktit se, interpelanca në vetvete nuk nënkupton shkarkimin e Dautit, ajo vazhdon të pretendon se, ky akt nënkupton largimin e saj ose veprimin e saj.
Ilire Dauti, Kryetare e Komisionit për Punë Sociale, Demografi dhe Rini
“Perballë të zgjedhurit në mes humbjes së pozicionit të Kryetares së Komisionit dhe veprimit nën diktat, sipas kushteve të përcaktuara nga Levica dhe të propozuara si Konkluzion nga Afrim Gashi, mos keni asnjë dyshim që do pranoj lirinë e veprimit si deputete, ashtu siç e kam bërë gjer tani, e lirë dhe e pavarur. Ashtu duhet të jetë edhe çdo qytetarë pavarësisht diversitetit që kemi”.
Kujtojmë se, të premten e kaluar në seancë plenare, Kuvendi me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, kaloi interpelancën kundër kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti. Interpelanca ishte inicuar nga Levica, për shkak të bllokimit të ligjit për “branitellat”, pasi disa herë ka përsëritur se nuk do ta vendosë në rend dite Ligjin për ‘Branitellat’ nëse luftëtarët e UÇK-së nuk trajtohen në të njejtën mënyrë.
Teuta Buçi /SHENJA/