(VIDEO) Nga pesë interpelancat, kaloi vetëm ajo kundër Ilire Dautit
Deputetët e Kuvendit të RMV-së kishin pushuar mjaftueshëm gjatë pushimit dimëror, aq sa seancën e parë pasi u kthyen në punë të premten e zgjatën deri natën vonë. Me debate dinamike, të shumta, me akuza të ndërsjellta, të zgjedhurit e popullit diskutuan gjatë, për 5 interpelancat që ishin në rend dite. Prej tyre kaloi vetëm njëra, ajo kundër deputetes Ilire Dauti, e inicuar nga partia Levica. Ndërsa nuk kaluan interpelancat e parashtruara nga Fronti Evropian për zëvendëskryeministrin Izet Mexhitin, zëvendëskryeministrin Ivan Stoillkoviqin, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovskii dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni.
Me 64 vota ‘kundër’ dhe 3 ‘për’ deputetët nuk e kaluan interpelancën kundër Izet Mexhitit.
Me 52 vota ‘kundër’ dhe 7 ‘për’ deputetët nuk e kaluan interpelancën kundër Ivan Stoillkoviq.
Me 63 vota ‘kundër’ dhe 7 ‘për’ deputetët nuk e kaluan interpelancën kundër Pançe Toshkovskit.
Me 62 vota ‘kundër’ dhe 4 ‘për’ deputetët nuk e kaluan interpelancën kundër Astrit Isenit.
Ndërka, paraprakisht me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, kaloi interpelanca e partisë Levica për shkarkimin e deputetes së Frontit Evropian Ilire Dauti nga detyra e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Ndërkohë, menjëherë pas këtij vendimi u deklarua Kuvendi. Përmes një njoftimi për media, thanë se interpelanca nuk nënkupton edhe shkarkimin e Dautit nga ky pozicion. Siç theksuan ata, vota e interpelancës është shprehje e deputetëve dhe nuk ka pasoja juridike detyruese për shkarkim dhe nuk ka efekt juridik. Ndërkaq, deputeti i VLEN-it Halil Snopçe bëri me dije se VLEN nuk e ka votuar interpelancën e Dautit. As LSDM nuk kishte votuar, pasi deputetët e tyre paraprakisht e lëshuan sallën e Kuvendit, nën arsyetimin se interpelancat kanë për qëllim krijimin e ndarësive etnike. Pro shkarkimit të saj votuan deputetët e VMRO-së dhe Levicës.
Shkaku i inicimit të interpelancës së saj sipas Levicës, ishte se kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti po e bllokon Ligjin për ‘Branitellat’. Deputetja Ilire Dauti disa herë ka përsëritur se nuk do ta vendosë në rend dite Ligjin për ‘Branitellat’ nëse luftëtarët e UÇK-së nuk trajtohen në të njejtën mënyrë.
Emine Ismaili /SHENJA/