Uzuni refuzon të stërvitet te Granada, kërkohet në Amerikë
Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzuni ka refuzuar të dal në stërvitje me ekipin e Granadës, pasi klubi spanjoll ende nuk i ka ofruar kontratë të përmirësuar dhe tashmë ka marrë një ofertë të lartë.
Në moshën 29-vjeçare dhe me një paraqitje të jashtëzakonshme, Uzuni prej kohësh kërkon të përmirësojë kushtet e kontratës së tij me Granadën, por një marrëveshje ende nuk është arritur. Sipas gazetës Marka, shqiptari ka në tavolinë një ofertë nga skuadra Austin në MLS.
Skuadra amerikane do të ishte e gatshme të paguante rreth dhjetë milionë euro për të marrë shërbimet e sulmuesit shqiptar, paga e të cilit do të dyfishohej, duke i afruar një milion e gjysmë euro, ofertë kjo që duket e pakundërshtueshme.
Përballë kësaj situate, Uzuni vendosi të mos kthehet pas pushimeve dimërore dhe nuk pranoi të stërvitet, duke humbur ndeshjen ndaj Getafes. Në këtë situatë, Granada mund të pranojë ofertën e skuadrës amerikane dhe të kërkojë në treg përforcime cilësore ose të përpiqet të arrijë një marrëveshje me lojtarin për ta mbajtur në radhët e veta.