(VIDEO) Kurtulmush: Turqia synon rritjen e stabilitetit në Ballkan
Kryetari i Kuvendit të RMV-së Afrim Gashi ka mirëpritur homologun e tij turk Numan Kurtulmush. Gashi pas mbarimit të takimit në konferencë për media tha se të dy vendet kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Ai potencoi se të dy vendet kanë raporte të mira tregtare dhe ekonomike për të cilat tha se viteve të fundit janë duke u thelluar. Gashi foli edhe për sfidat e përbashkëta për realizimin e objektivit strategjik të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Turqisë dhe theksoi se Turqia ka qenë mbështetëse e fuqishme e intergrimit të RMV-së në NATO.
AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT TË RMV-SË
“Adresuam sfidat tona të përbashkëta për realizimin e objektivit tonë strategjik për anëtarësim në BE, ndërsa jam i bindur se me të njejtën dinamikë dhe me të njejtin përkushtim, do të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit për të përmbushur këtë aspiratë, që është e vetmja alternativë e mundshme për të siguruar, paqe, zhvillim dhe prosperitet për qytetarët tanë” .
Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë Numan Kurtulmush tha se vizitën e ka filluar me takimin me kryeparlamentarin e RMV-së Afrim Gashin dhe theksoi se i pret një agjendë shunmë e ngjeshur. Ai tha se në mes Turqisë dhe RMV-së ekziston një lidhje e fuqishme dhe e palëkundur e cila daton që nga shpallja e pavarësisë së vendit.
NUMAN KURTULMUSH, KRYETAR KUVENDIT TË MADH POPULLOR
“Vizitën e fillova me takimin me vëllain tim Afrim Gashi këtu në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Gjatë ditës do të kemi takime me kryeministrin, Presidenten, ndërsa më pas do të marrim pjesë në manifestimin qendror për shënimin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke. Ne duam ti vazhdojmë marrëdhëniet e ngushta dhe intensive politike mes dy qeverive në një bashkëpunim të ngushtë dhe intensiv ndërparlamentar dhe në këtë mënyrë ti përfshijmë të gjithë kapitujt në të cilët mund të kontribojmë në këtë drejtim”.
Kurtulmush gjatë qëndrimit të tij 3-ditor do të takohet edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska Davkova si dhe do të ketë takime me liderët e partive politike turke. Ai gjithashtu do të merr pjesë në aktivitete të ndryshme me rastin e 21 dhjetorit, Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/