MPJ-ja i dorëzoi një notë proteste ambasadorit rus Bazdnikin
Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Federatës Ruse në vend, Sergej Bazdnikin, pasditen e sotme është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ) ku i është dorëzuar notë proteste.
“Ambasadorit rus iu dorëzua një notë proteste, me të cilën shprehet dënimi dhe protesta e fuqishme për dëmet materiale të shkaktuara nga sulmi me raketë nga forcat e armatës ruse në Kiev, me ç’rast u godit edhe Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, informojnë nga MPJ-ja.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informoi se gjatë sulmit nuk ka pasur të lënduar në mesin e personelit tonë diplomatik, por dëme materiale janë shkaktuar në Ambasadë.
“Nga ana e shërbimeve kompetente kanë bërë kontroll fillestar të dëmtimeve në vendngjarje dhe tashmë janë duke punuar në sanimin e tyre”, kumtoi Ministria.
Sulmi me raketa ruse ndaj një ndërtese në Kiev, në të cilën ndodhen gjashtë përfaqësi të huaja diplomatike, mes të cilëve dhe Ambasada e Maqedonisë dhe ajo e Shqipërisë në Ukrainë, u dënua edhe nga Komisioni Evropian.
“Ky sulm tregon edhe një herë se natyra kriminale e (presidentit rus Vladimir) Putin përfaqëson rrezik për Ukrainën, për BE-në dhe për sigurinë tonë të përgjithshme”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Anita Hiper.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, i pyetur nëse KE-ja ka ndërmend të lëshojë protestë diplomatike deri te Rusia, duke marrë parasysh se në mesin e përfaqësive diplomatike në ndërtesën e raketuar ka edhe ambasada të vendeve anëtare të BE-së, Hiper vetëm shkurt u përgjigj se Komisioni “do ta vlerësojë situatën dhe do të reagojë”.