(VIDEO) Nga ora 22:00 pjesa më e madhe e kryeqytetit do të mbetet pa ujë

(VIDEO) Nga ora 22:00 pjesa më e madhe e kryeqytetit do të mbetet pa ujë

Prej sonte në orën 22:00, pjesa më e madhe e kryeqytetit do të jetë pa ujë, sepse do të sanohen disa defekte serioze. Siç kanë bërë me dije nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, Shkupi do të mbyll tubacionin kryesor të qytetit në rrethin e kazermës në Gjorçe Petrov për ta riparuar dhe do të zgjas deri sa të përfundojnë punimet. Përshkak të informacioneve se qytetarët po zbrazin raftet në markete duke blerë ujë për pije, nga Ndërmarrja bëjnë apel tek qytetarët që të mos kenë frikë dhe panikë sepse sanimi do të zgjasë më pak se 15 orë, ndërsa punimet do t’i nisin të shtunën herët në mëngjes.

Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi”

“Apelojmë tek të gjithë aktorët publik që të kenë kujdes në dhënien e informacioneve dhe të mos shkaktojnë frikë dhe panikë tek qytetarët për mos pasje ujë disa orë. Ky sanim serioz po ndërmerret që të parandalohen situatat me defektet siç janë ato në Tetovë, Manastir, Shtip dhe Negotinë, të cilët me ditë e javë nuk kanë pasur ujë përshkak të defekteve të pa sanuara”.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik, ka dalë me disa rekomandime për qytetarët, spitalet dhe objektet hotelierike gjatë kohës që nuk do të ketë ujë.

Për qytetarët ISHP rekomandon që të ruajnë ujë të mjaftueshëm në enë të pastra, nga të cilat mund ta përdoren për pije, gatim dhe higjienë. Përveç kësaj këshillon edhe blerjen e ujit në shishe. Ndërsa për nevoja sanitare këshillojnë të mbushen në kova apo enë të mëdha. Kurse për aktivitete të tjera si larja e rrobave, e veturave e kështu me radhë, thonë që të shtyhen për periudhë të caktuar deri sa të rregullohet problemi me ujin.

Për institucionet shëndetësore rekomandojnë stafi mjekësorë, të përshtatë orarin e procedurave që kërkojnë ujë dhe të shtyjë rastet jokritike. Ndërsa këshillojnë spitalet dhe klinikat të sigurojnë ujë të mjaftueshëm për nevojat elementare të pacientëve dhe stafit, por edhe të blejnë furnizime shtesë me ujë në shishe.

Ndërsa për restorantet dhe kafenetë rekomandojnë të rregullojnë menytë e tyre për të shmangur pjatat dhe pijet që kërkojnë shumë ujë, si supat ose salcat e ndërlikuara dhe të fokusohen në vaktet dhe pijet që mund të përgatiten me një sasi minimale uji. Për nevoja sanitare, ata duhet të kenë të mbushur me ujë depozita, kazanë ose kova për larjen e enëve, duarve dhe sipërfaqeve, si dhe të kenë mjaftueshëm dezinfektues duarsh, peceta pastrimi kimik dhe alternative tjera për pastrimin e sipërfaqeve.

Gjatë kësaj periudhe ujë do të kenë vetëm vendbanimet në anën e majtë të lumit Vardar si në Çairi, Butel, Radishan, Rruga e Plastikave deri tek Ambasada Amerikane, Vizbeg, Bardovcë, Zhelezarë, Autokomandë (zona e lartë), Saraji, Shutka, Lagja Tophane. Kurse të gjithë vendbanimet që janë në anën e djathtë të Vardarit, deri në Zelenikovë, do të jenë pa ujë deri në sanimin e defektit.

Emine Ismaili /SHENJA/ 

 

MARKETING