(VIDEO) Fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin

(VIDEO) Fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin

Ish zëvendëskryeministri, Artan Grubi dhe ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami mbeten të pakapshëm për organet e përndjekjes, që të dy të dyshuar për rastin “Lotaria shtetërore”. Pas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria Themelore Shkup drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, për publikimin e një urdhër-arresti kombëtar dhe një deklaratë për lëshimin e një fletarrestimi ndërkombëtar, MPB-ja shpalli sot flet-arrestin ndërkombëtar, ndërsa Grubi dhe Bajrami u publikuan edhe në listën e të kërkuarve në ueb faqen e Ministrisë së Brendshme.

Urdhri për flet – arrest, vjen pasi paraprakisht, Gjykata Penale Shkup u caktoi masën e paraburgimit të dy të dyshuarve.

Gjykata Penale Shkup

Pas njoftimit të marrë nga MPB kompetente, të dy personat për të cilët prokuroria publike propozoi masën e paraburgimit nga gjetja e tyre gjegjësisht privimi nga liria, ndërsa lidhur me hetimin në Lotarinë Shtetërore, janë të pakapshëm për organet e ndjekjes, mori vendim që ta pranojë propozimin e prokurorisë publike dhe u caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165 paragrafi 1, pika 1 dhe 2”.

Grubi dhe Bajrami janë të pakapshëm për organet tash me disa ditë. Grubi u largua nga vendi të dielën dhe pak para nisjes së aksionit policor dhe pas informatave që është arratisur nga vendi, njoftoi në profilin e tij në Facebook se ndodhet në Kosovë për të kryer obligime private dhe se pas kësaj, do të kthehet në Shkup. Megjithatë, ai ende nuk është kthyer. Dyshohet se, Grubin e ka dërguar në Kosovë me veturë diplomatike biznesmeni dhe konsuli i nderit i Kosovës në Maqedoni, Arsim Papraniku, i cili është marrë sot në pyetje në stacionin policor të Karposhit. Nga MPB e kanë konfirmuar rastin, por nuk kanë dhënë më shumë detaje.

Ndërkaq, vend ndodhja e Bajramit edne nuk dihet, por ajo që është bërë tashmë e ditur është se, në procesin gjyqësor ai do të përfaqësohet nga avokati nga Shkupi, Antonio Apostolski i cili e ka konfirmuar këtë informacion për “Fokus-in” dhe tha se ka marrë autorizim dhe është angazhuar nga një anëtar i familjes së Bajramit.

Kujtojmë se, Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar dje kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe katër personave të tjerë. Bajrami është i dyshuari i parë, ndërsa i dyshuari i dytë është Grubit.

Ata akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat” në lidhje me “Lotarinë Shtetërore” dhe me këtë, kanë dëmtuar buxhetin e lotarisë me 8,1 milionë euro.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING