PTHP: Kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor dosjet lidhur me lëndën “Target-Fortesa”

PTHP: Kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor dosjet lidhur me lëndën “Target-Fortesa”

Prokuroria Themelore Publike Shkup, duke vepruar në rastin e formuar pas futjes së dy personave në listën e zezë të SHBA-së, njofton se janë ndërmarrë veprime në kuadër të të cilave hetues nga Qendra Hetuese e Prokurorisë ka kërkuar dhe ka marrë nga Këshilli Gjyqësor të gjitha dosjet lidhur me procedurat e përcaktimit të përgjegjësisë së gjyqtarëve që kanë vepruar në lëndën “Target-Fortesa”, e cila ka të bëjë me skandalin e përgjimeve dhe ku i dyshuar kryesor ishte ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov.
Prokuroria njoftoi se, po ndërmerren veprime të tjera për zbardhjen e plotë të rastit.
Këto aktivitete vijnë pasi, kryeprokurori Lupço Kocevski njoftoi të mërkurën në një brifing me gazetarët se, ka formuar lëndë për sigurimin e provave për përgjegjësi të mundshme penale për personat e vendosur në listën e zezë të SHBA-së, përkatësisht për ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe gjykatësin e Apelit, Enver Bexheti. Që të dy akuzohen e kanë pranuar ryshfet nga Mijallkovi, në mënyrë që lëndët për të cilat ai akuzohej të ruhen në sirtar deri në vjetërsimin e tyre.

MARKETING