(VIDEO) Partitë politike shqiptare dhe kryetarët e tyre urojnë 28 nëntorin

(VIDEO) Partitë politike shqiptare dhe kryetarët e tyre urojnë 28 nëntorin

28 nëntori, kjo festë krenarie për gjithë shqiptarët e që i bashkon ato kudo që janë, u urua nga gjitha partitë politike dhe kryetarët e tyre në RMV. Me fjalë të përzgjedhura me shumë kujdes, vargje që shprehin mirënjohje për ata që kanë kontribuar për flamurin e shtetin shqiptarë dhe urime për ditë më të mira për shqiptarët, politikanët në RMV, duken të bashkuar për qëllimin, që shqiptarët e Shqipëria të bashkohen.

Sot më shumë se kurrë duhet të reflektojmë mbi përpjekjet e paraardhësve dhe të bashkohemi mbi vlerat që na karakterizojnë si komb, ka shkruar në urimin e tij, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Afrim Gashi, kryetar i Parlamentit

Kjo datë përçon tek çdo shqiptar krenari dhe respekt për historinë dhe sakrificat e kombit shqiptar. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kjo datë është simbol i unitetit dhe forcë e identitetit kombëtar”.

Zëvendës kryeministri Izet Mexhiti në urimin e 28 nëntorit, kujton se 112 vite më parë lindi e pavarura Shqipëri, si një shtet që siç thotë rrezaton edeh sot paqe e krenari kombëtare.

Izet Mexhiti, zv/ kryeministër

Dita e Flamurit është festë përkujtimi e nderimi për burrat e gratë që shkruan historinë e kombit tonë, ndërsa vlerat e tyre edhe sot ndriçojnë të ardhmen tonë kolektive”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, duke uruar Ditën e Flamurit, ka thënë se liria nuk është një destinacion, por rrugëtim i përhershëm dhe i pandalshëm.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së

Ky përvjetor i 112-të i ditëve më të shenjta të kombit tonë shqiptar na përkujton që përpjekjet për liri, barazi, pavarësi, flamur, gjuhë janë të përditshme dhe angazhimet tona nuk duhet ti ndalim asnjëherë”.

Në mesazhin e tij, Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka theksuar se kjo ditë është një rast për të reflektuar mbi pozitën e shqiptarëve në Europë, Ballkan dhe në vendin tonë.

Zeqirja Ibrahimi, kryetar i Alternativës

Ne shqiptarët, si komb, jemi më afër se kurdoherë me Bashkimin Europian, ndërsa në vendin tonë janë pikërisht shqiptarët që janë flamurë të këtij integrimi.

E kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben taravari, flet pikërisht për forcën e bashkimit.

Arben Taravari, kryetar i ASH-së

Historia e rëndë na ka bërë ne Shqiptarëve që ndonjëherë të shtyjmë e shajmë njëri-tjetrin dhe aty armiqtë tanë janë kënaqur, por nëse ka një gjë që na ka bashkuar dhe bashkon të gjithëve si me magji, padyshim që ky është Flamuri Shqiptar!”.

Kryetari i krahut tjetër të ASH-së Ziadin Sela, porosit që të festojmë, të mburremi, e të punojmë për të përmbushur amanetin e të parëve.

Ziadin Sela, kryetar i ASH-së

Kjo histori e mbushur me njerëz të guximshëm e suksesshëm, që nuk u dorëzuan, por triumfuan mbi tiranitë dhe sfidat shumë herë më të vështira se sot, duhet të na shërbejë si motiv për të qenë edhe më të vendosur përballë sfidave që kemi sot”.

Ditën e Flamurit e kujtoi edhe kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa

Festat janë edhe më të bukura kur qytetarët gëzojnë infrastrukturë më të mirë rrugore! Gëzuar 28 Nëntori, Dita e Flamurit!”

Ndërkaq, kryetarja e shtetit, kryeministri dhe Qeveria, nuk e panë të arsyeshme të urojnë pavarsinë e Shqipërisë fqinje. Ashtu siç nuk e uroi as kryetari i opozitës maqedonase LSDM, Venko Filipçe, parti që deri para 6 muajsh ka qevrisur me shqiptarët.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING