(VIDEO) Interes i madh për veshje kombëtare, fëmijët vishen kuq e zi
Me afrimin e festës së 28 nëntorit, shqiptarët kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të nderuar këtë ditë, e që janë veshjet kombëtare. Veshja tradicionale e pasurar me simbole dhe detaje që tregojnë lidhjen e thellë me historinë e popullit shqiptar është shenjë e ruajtjes së kulturës kombëtare.
Njëri prej esnafëve të Çarshisë, Rufki Loku, theksoi se këtë vitë për festën e 28 Nëntorit, ka pasur interesim të madh për veshjet kombëtare për të vegjëlit, siç janë kësula, jeleku, këmisha, fustani. Për shkak të manifestimeve nëpër shkolla, interesimi ka qenë nga ato që janë në çerdhe e deri në klasën e 8-të.
Rufki Loku, esnaf
“Sivjet me të tregu të drejtën ka interesim më tepër, nuk kemi shitur aq veshje kombëtare sa ka interesim, për shkak se edhe prindërit tani janë më të vobekët këtu rrallë kush ka mundësi me i blerë. Për të vegjëlit ka pasur më shumë interesim, për fëmijët sidomos, nëpër shkolla tani po manifestojnë edhe po ju duhen prej në çerdhe e deri në klasën e 8-të. Të gjithë kanë interesim”.
Veshja kombëtare shqiptare është e njohur për diversitetin e saj, duke ndryshuar sipas rajoneve, mirëpo gjithmonë duke mbajtur të njëjtin shpirt atdhetar. Rufki Loku theksoi se mbajnë veshje prej të gjitha krahinave si të veriut dhe jugut ku blerja e veshjeve ndryshon nga kërkesa e qytetarëve.
Rufki Loku, esnaf
“Veshjet i mbajmë të gjitha krahinave, i kemi të gjitha krahinat edhe me porosia i punojmë, shumica që i porosisin kanë ndonjë model ose kërkojnë prej cilës krahinë e dëshirojnë, jugu, veriu të gjitha ato. Disa i mbajnë ku toskët kanë veshje tjetër dhe kto karshiaka tjera do vende të tjera kështu më rradhë”.
Për punën e tij 10-vjeçare për veshjet kombëtare, ai ndjehet krenar duke e quajtur atë punë të shenjtë ashtu siç është gjuha dhe flamuri. E për këtë ai porositi që me këtë trashëgimi që është veshja, duhet të mburremi të gjithë dhe të jemi krenarë.
Megjithatë interesi i shtuar për veshjet tradicionale tregon një kujdes të madh për ruajtjen e identitetit kulturor veçanërisht mes brezit të ri ku edhe siç thuhet, nëse duam të ruajmë traditat, duhet t’i japim mundësinë brezit të ri t’i njohë ato që nga mosha e vogël.
Merxhane Iseni /SHENJA/