(VIDEO) Taravari: Zyrtarët e BDI-së lëvizin nëpër prokurori

(VIDEO) Taravari: Zyrtarët e BDI-së lëvizin nëpër prokurori

Ministri i Shëndetësisë dhe njëherit edhe njëri ndër liderët e VLEN-it, Arben Taravari, thotë se është i informuar se zyrtarë të BDI-së janë duke u thirrur në prokuroritë kompetente, megjithatë, ai nuk përmendi emra konkretë dhe nuk tregoi se nga kush i ka këto informata, duke shtuar se opinioni së shpejti do t’i sheh.

ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

Besoj se në një kohë të shkurtër do të shihni se cilët janë. Nuk i di emrat, nuk punoj as në polici, as në prokurori, as në gjykata. Nëse keni nevojë për një informacion të tillë, pyesni atje. Por e di që shumë njerëz lëvizin shpesh atje”.

E për këtë deklaratë të Taravarit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, të cilët e quajnë deklaratë skandaloze. Nga partia e Ahmetit, theksojnë se këto kërcënime me konstrukcione dhe përndjekje politike si dhe presione ndaj hetuesisë dhe prokurorisë nuk frikësojnë askënd, por sipas tyre, shfaqin tendencën skandaloze dhe të papranueshme të ushtrimit të shtetit të kapur nga ana e qeverisë.

BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

Bashkimi Demokratik për Integrim reagin ashpër ndaj deklaratave skandaloze të sotme të Arben Taravarit në lidhje me gjoja procese hetimore të krijuara, dirigjuara dhe orkestruara nga Qeveria ndaj oponentëve politik. Deklarata të tilla me konstrukcione politike përndjekëse u dhanë edhe në të kaluarën nga anëtarë të tjerë të Qeverisë pa legjitimitet etnik duke marrë kështu rolin e skenaristit, hetuesit, prokurorit dhe gjykatësit”.

Nga kjo parti madje thojnë se BDI mbështet sundim joselektiv të ligjit dhe kërkon veting të monitoruar ndërkombëtarisht për të gjithë bartësit e funksioneve politike. Të gjitha këto deklarata i lexon Brukseli dhe Washingtoni sepse na largojnë nga shteti i së drejtës dhe vlerat europiane si dhe rikthejnë kohëra të tejkaluara të konstrukcioneve me gjueti politike shtrigash, thuhet në reagimin e BDI-së.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING