Piloti holandez i Red Bull-it, Max Verstappen, fiton titullin e botës në Formula 1 në Las Vegas
Piloti holandez i Red Bull-it, Max Verstappen, ka siguruar titullin e botës në Formula 1 për vitin 2024 në Grand Prix të Las Vegasit, duke shënuar kampionatin e tij të katërt radhazi.
Me dy raunde të mbetura, 27-vjeçari Verstappen vulosi titullin e pilotëve pasi përfundoi përpara sfiduesit më të afërt, Lando Norris të McLaren.
Verstappen doli i pesti në rrugët e Las Vegasit, ndërsa Norris përfundoi raundin e 22-të në vendin e gjashtë.
Piloti i Mercedesit, George Russell, fitoi Çmimin e Madh të Las Vegasit në 50 xhiro.
Russell nga Britania e Madhe pa flamurin me kuadrate i pari me një kohë prej një orë, 22 minuta dhe 5,969 sekonda.
Shoku i tij i skuadrës nga Mercedes, Lewis Hamilton, shtatë herë kampion bote në F1, ishte i dyti në ‘Las Vegas Strip Circuit’ 7.3 sekonda pas Russell-it.
Piloti spanjoll i Ferrarit, Carlos Sainz, e përfundoi garën i treti.
Verstappen ka 403 pikë në renditjen e pilotëve në vitin 2024. Norris ka 340 pikë në vendin e dytë. Charles Leclerc i Ferrarit tani është në vendin e tretë me 319 pikë.
Formula 1 do të udhëtojë në Gadishullin Arabik për dy garat e mbetura.
Gara e radhës, raundi 23, do të zhvillohet në Katar të dielën e ardhshme, ndërsa sezoni do të përfundojë me garën në Abu Dhabi më 8 dhjetor.