Milan dhe Juventus luajnë baras në derbin e javës në Itali
Milan ka luajtur baras me rezultat 0-0 ndaj Juventusit në kuadër të javës së 13-të në elitën e futbollit italian.
Në këtë ndeshje ishin në fakt mysafirët ata që patën më shumë iniciativën por kjo nuk solli rezultat në fund.
Pjesa e parë ishte e qetë me të dy ekipet që po mbronin mirë hapësirat e tyre duke mos i lejuar njëra-tjetrës për të dalë në rast për gol.
Në pjesën e parë Kenan Yildiz iu afrua në dy raste golit, por porta e Mike Maignan mbeti e paprekur.
Vendasit u këndellën paksa në pjesën e dytë por duke mos arritur që të shënojnë gol.
Në fakt ata u ankuan për një penallti gjatë kësaj pjese, por gjyqtari nuk mendoi kështu dhe heshti duke sinjalizuar për vazhdimin e lojës.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati ndonjë rast për t’u veçuar me lojën që po zhvillohej kryesisht me duele fizike në mesfushë dhe të dy ekipet u desh të pajtoheshin me nga një pikë.
Pas javës së 13-të Milani shkon në kuotën e 19 pikëve dhe mban pozitën e shtatë në tabelë, teksa Juventusi ka 25 sosh dhe renditet në pozitën e pestë.
Javën e ardhshme Milani do të jetë nikoqir i Empolit teksa Juventusi do të luajë sërish në udhëtim, kësaj radhe ndaj Lecces./Telegrafi/