(VIDEO) Shqipja përplas ish-bashkëpartiakët, Osmanin dhe Mexhitin

(VIDEO) Shqipja përplas ish-bashkëpartiakët, Osmanin dhe Mexhitin

Gjuha shqipe është ose jozyrtare në Maqedoninë e Veriut, përplasi ish bashkëpartiakët e tash kundërshtarët e njëri tjetrit Izet Mexhitin e Bujar Osmanin. Në një status në facebook, ish ministri i Jashtëm Osmani, publikoi Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duke e nënvizuar se kjo është gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe në kllapa që shkruan gjuha shqipe. E kësaj ja kishte pasuar edhe disa deklarata, në të cilat kërkon të alarmohet situata në të cilën është vendi, duke i shtuar edhe një thënie profetike.

Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së

Është një thënie profetike, pejgamberi ka thënë nëse mund ta ndalni një punë ndaleni me dorë, nëse nuk mundeni, ndaleni me fjalë, nëse nuk mundeni me fjalë ndaleni me zemër dhe me mendim të mirë. Tash është koha kur secili prej nesh, ka përgjegjësi që të jetë kontribues në alarmimin e asaj që po ndodh”.

Deklaratës së Osmanit, ju përgjigj zëvendëskryeministri nga radhët e VLEN, Izet Mexhiti. Ai tha se ashtu siç ka harxhuar mandatin me shumë fasadë dhe aspak përmbajtje, ashtu ka folur si një militant partiak që nuk arrin të ngrihet përtej retorikave folkloriste e manipulatore, duke e lënë gjuhën shqipe siç tha ai, si gjuhë në kllapa.

Izet Mexhiti, zv/kryeministër

Deklarata jote e sotme nuk do koment të veçantë sepse ishte e vetëmjaftueshme – duke cituar ‘Ligjin për përdorimin e gjuhëve’, e citove nenin i cili gjuhën shqipe e përkufizon si gjuhë në kllapa! Pra – aspak zyrtare, aspak formale, aspak e barabartë me maqedonishten – thjeshtë, gjuhë në kllapa. Ndërkohë që e votove miratimin e Ligjit për supremacionin e gjuhës maqedonase si gjuhë e parë e shtetit, pranove dhe lejove që shqipja, për të cilën është derdhur gjak, të ngelet thjeshtë, gjuhë e shpjeguar në kllapa”.

Gjuha shqipe u sjell në vëmendje sërish, sidomos kur u bë me dije mbajtja e mbledhjeve të Qeverive të RMV-së dhe RKS-së, kur përfaqësues të Frontit Evropian, por njejtë edhe opozita e Kosovës, kërkuan që në mbledhje të bisedohej për shqipen. E reagimet u shumëfishuan pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti që tha se gjuha shqipe nuk ka qenë asnjëherë zyrtare në Maqedoni të Veriut, sepse aty nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, por ka ligj për përdorimin e gjuhës që e flasin 20% e popullsisë, ndryshe nga Kosova, siç tha që serbët janë vetëm 4%, por gjuhën serbe e kanë të zyrtarizuar.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING