Trump zgjedh këshilltaren e tij Susie Wiles si shefen e ardhshme të kabinetit
Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi Susie Wiles, një nga drejtueset e ekipit të fushatës së tij, si shefe të kabinetit të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë, gruaja e parë që do të ketë këtë post të rëndësishëm.
Zonjës Wiles i atribuohet gjerësisht merita brenda dhe jashtë rrethit të brendshëm të zotit Trump për drejtimin e fushatës së tij të fundit, që konsiderohet si më e disiplinuara. Ajo ishte pretendentja kryesore për këtë pozicion.
Ajo ka qëndruar përgjithësisht në hije dhe madje as nuk pranoi të merrte mikrofonin për të folur ndërsa zoti Trump deklaroi fitoren në orët e para të së mërkurës.
Enërimi i zonjës Wiles është vendimi i parë madhor i zotit Trump si president i zgjedhur dhe mund të jetë një provë përcaktuese për administratën e ardhshme të tij, pasi i duhet të krijojë shpejt ekipin që do të ndihmojë në drejtimin e qeverisë federale.
Zonja Wiles nuk sjell shumë përvojë të qeverisë federale në këtë rol, por ka një marrëdhënie të ngushtë me presidentin e zgjedhur. Gjatë fushatës, ajo arriti të bënte atë që pak të tjerë kanë mundur ta realizojnë – të ndihmonte në kontrollin e impulseve të zotit Trump, duke fituar respektin e tij dhe duke treguar se ishte më mirë që ai të ndiqte këshillat e saj sesa t’i injoronte ato.
“Susie është e fortë, e zgjuar, krijuese dhe admirohet dhe respektohet në të gjithë botën. Susie do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për ta bërë Amerikën përsëri madhështore,” tha zoti Trump në një deklaratë. “Ajo e meriton plotësisht që të jetë shefja e parë femër e kabinetit në historinë e Shteteve të Bashkuara. Nuk kam asnjë dyshim se ajo do ta bëjë vendin tonë krenar.”
Shefat e kabinetit shërbejnë si personat më të besuar të presidentit, ndihmojnë në ekzekutimin e agjendës së presidentit dhe balancojnë prioritetet politike.
Zonja Wiles është një këshilltare republikane me bazë në Florida, e cila drejtoi fushatat e zotit Trump në këtë shtet në vitet 2016 dhe 2020, si edhe fushatën e suksesshme të guvernatorit të Floridës Ron DeSantis në vitin 2018./VOA